Temperaturat e larta që kanë përfshirë Ballkanin Perëndimor kanë shkaktuar një sërë zjarresh në Maqedoninë e Veriut.
Qendra për Menaxhimin e Krizave bën të ditur për disa zjarre aktive në zonën e Velesit, ku vështirë mund të arrihet për të ndërhyrë në rrugë tokësore për shuarjen e tyre.
Zjarre janë përhapur edhe nëpër pyje të komunave të Manastirit, Dollnenit e Çashkës, ndërkohë që autoritetet thonë se kanë arritur të vënë nën kontroll zjarrin e madh në Malin Serta afër Shtipit, në lindje të vendit.
Dhjetra ushtarë, policë, pjesëtarë të Qendrës për Menaxhimin e Krizave po përballen me flakët, teksa vendet si Sllovenia, Kroacia, Rumania, Mali i Zi dhe Serbia dërguan helikopterë dhe avionë të posaçëm për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Autoritetet në Maqedoninë ne Veriut thonë se të paktën nëntë zjarre në zona të ndryshme të vendit vazhdojnë të jenë aktive, por ende nuk kanë ofruar të dhëna të sakta se sa hektarë pyje janë djegur apo dëmtuar deri më tani.