Lidhje

Shërbimi Sekret pranon se kishte refuzuar masa shtesë sigurie për ish-presidentin Trump në vitet para atentatit


Shërbimi Sekret po e pranon tani se ka refuzuar disa kërkesa të ekipit të fushatës së kandidatit republikan për president, Donald Trump, për shtimin e masave të sigurisë në aktivitetet e tij, në vitet para atentatit ndaj tij javën e kaluar në Pensilvani.

Pas sulmit të 13 korrikut, agjencia e zbatimit të ligjit kishte mohuar të kishte refuzuar kërkesa të tilla. Por të shtunën, një javë pas sulmit, Shërbimi Sekret pranoi se kishte hedhur poshtë disa kërkesa për të rritur sigurinë për ish-presidentin.

Deklarata ka të ngjarë të jetë në qendër të një seance të Kongresit të hënën, ku drejtorja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle pritet t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve të cilët kanë shprehur indinjatën për dështimet e sigurisë që krijuan mundësinë që një i armatosur 20-vjeçar të ngjitej mbi një godinë pranë podiumit ku ishte ish-presidenti Trump gjatë një tubimi në Batlër të Pensilvanisë dhe të hapte zjarr ndaj tij.

Zoti Trump u plagos në veshin e djathtë, një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë u plagosën.

“Shërbimi Sekret ka një mision të gjerë, dinamik dhe të ndërlikuar. Ne punojmë çdo ditë në një mjedis dinamik me kërcënime për të garantuar sigurinë e atyre që mbrojmë në aktivitete të shumta, udhëtime dhe mjedise të tjera sfiduese”, tha zëdhënësi kryesor i agjencisë, Anthony Guglielmi, në një deklaratë të lëshuar të shtunën vonë për gazetën “The Washington Post”, e cila ishte e para që njoftoi për ndryshimin e pohimeve të agjencisë, për të cilin tha se erdhi si rezultat i pyetjeve të detajuara dërguar agjencisë.

"Ne ekzekutojmë një strategji gjithëpërfshirëse dhe me nivele të ndryshme për të balancuar personelin, teknologjinë dhe nevojat e specializuara operacionale," tha zëdhënësi Guglielmi.

Ai tha se agjencia mbështetet në disa raste tek organet shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit, kur njësitë e specializuara të Shërbimit Sekret janë të pamjaftueshme.

"Në disa raste kur njësi ose burime specifike të specializuara të Shërbimit Sekret nuk kanë mundur të sigurohen, agjencia ka bërë modifikime për të garantuar sigurinë e të mbrojturit," tha zëdhënësi Gugliemi.

Pas atentatit, ndërsa filluan të qarkullojnë lajme se agjencia kishte hedhur poshtë kërkesat e ekipit të fushatës së zotit Trump, zoti Guglielmi e mohoi një gjë të tillë.

Po qarkullon "një pretendim i pavërtetë se një anëtar i ekipit të ish-Presidentit kërkoi burime shtesë sigurie dhe mori përgjigje negative," u shpreh Gugliemi në një postim në mediat sociale.

"Kjo është absolutisht e rreme. Në fakt, ne shtuam burime dhe teknologji dhe aftësi mbrojtëse. si pjesë e rritjes së intensitetit të fushatës.”

Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas e ka quajtur “dështim” atë që ndodhi, ndërsa disa ligjvënës kanë bërë thirrje që zonja Cheatle ose të japë dorëheqjen ose të shkarkohet.

Presidenti Biden ka urdhëruar një hetim të pavarur. Edhe një Departament i Sigurisë Kombëtare dhe një komision i Kongresit po hetojnë.

Ish-presidenti Trump thotë se nuk kishte pasur asnjë sinjalizim se organet e rendit kishin identifikuar një person të dyshimtë kur ish-presidenti doli në podium në Pensilvani. Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për masat e sigurisë dhe sesi personi i armatosur arriti të hipte në godinë.

XS
SM
MD
LG