Lidhje

Republikanët flasin për zëvendësuesin e mundshëm të presidentit Biden në zgjedhje 


TRUMP
TRUMP

Ndërsa zyrtarë të lartë demokratë po ushtrojnë trysni që presidenti Joe Biden të tërhiqet nga gara, edhe republikanët janë duke diskutuar se kush mund ta zëvendësojë për t’u përballur në nëntor me kandidatin e tyre, ish-presidentin Donald Trump. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman ndoqi punimet e Kuvendit Kombëtar Republikan në Miluoki.

Republikanët flasin për zëvendësuesin e mundshëm të presidentit Biden në zgjedhje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Një ndër thirrjet që dëgjoheshin në Kuvendin Kombëtar Republikan ishte “Joe duhet të largohet”.

Nëse presidenti Biden largohet vërtet, pas trysnisë nga vetë partia e tij që pritet të mbajë muajin e ardhshëm Kuvendin Kombëtar Demokrat, republikanët kanë parashikimet e tyre se kush mund ta zëvendësojë atë si kandidat.

“Sipas rregullores, nëse e zbatojnë, do të ishte Kamala Harris derisa të shkojnë në kuvend dhe aty mund të bëhet proces i hapur”, thotë Lori Klein Corbin, anëtare nga Arizona e Komitetit Kombëtar Republikan.

Ky lloj procesi do të ishte një kuvend i hapur me më shumë se një raund votimi. Herën e fundit që demokratët kanë bërë një proces të tillë dhe që u rezultoi me fitore në zgjedhje, ishte në vitin 1932, kur u përzgjodh Franklin Roosevelt-i.

Republikanët që gjendeshin në Miluoki patën disa emra befasues për personat që mendojnë se mund të bëhen kandidati demokrat për president.

“Mendoj se do të kandidonte Jill Biden. Po, mendoj se do të kandidonte dhe do të dilte më mirë se bashkëshorti i saj”, thotë Rochelle Brooks, delegate alternative në Kuvendin Kombëtar Republikan.

Ajo po diskutonte për atlernativat e ndryshme me një tjetër delegat alternativ nga Kalifornia.

“Gavin Newsome është një tjetër emër, pas Michelle Obamës dhe Kamala Harris”, thotë zoti Tran.

Gavin Newsome është guvernator në Kaliforni.

Michelle Obama, bashkëshortja e ish-presidentit Barack Obama, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk është e interesuar për t’u bërë politikane.

Nënpresidentja Kamala Harris është zëvendësuesja më e mundshme për presidentin Biden, thotë Alan Swain, i cili kandidon në Karolinën e Veriut si kandidat republikan për në Kongres.

“Mendoj se për shkak të financave dhe ndryshimit në minutën e fundit, ndoshta do të duhet të jetë Kamala Harris, e cila duhet të përzgjedhë një numër dy, që mendoj se do të jetë guvernatorja e Miçiganit, Whitmer”, thotë zoti Swain.

Hera e fundit që një president amerikan vendosi të mos kandidojë për një mandat të dytë, ishte në vitin 1968 me demokratin Lyndon Johnson, ndërsa vazhdonte lufta e Vietnamit.

XS
SM
MD
LG