Një burrë nga Xhorxhia u arrestua të enjten me akuza federale pasi kërcënoi se do të vriste drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI).
John Donovan Woodbury, 34 vjeç nga Roswelli, u informua për akuzat në gjykatën federale në Atlanta, njoftoi prokurori Ryan Buchanan. Sipas dokumentacionit të gjykatës, ndaj tij u ngritën akuza nga një juri e madhe për kërcënimin “për ta sulmuar, për ta marrë peng dhe për ta vrarë” drejtorin e FBI-së Christopher Wray.
Autoritetet thanë se kërcënimet u bënë muajin e kaluar në një forum në internet, të quajtur 4chan. I akuzuari Woodbury pati publikuar atje adresën e shtëpisë të zotit Wray, si dhe shkruajti se do ta bënte familjen e drejtorit të FBI-së “të kishin frikë qoftë edhe të hidhnin një hap” brenda shtëpisë.
I akuzuari pati bërë në internet edhe deklarata të tjera në lidhje me zotin Wray dhe persona të tjerë, ku shprehej për djegie dhe varje njerëzish, tregojnë të dhënat e gjykatës. Në aktakuzë nuk indentifikohen me emër personat e tjerë.
Në dokumentacionin e gjykatës nuk përmendet emri i avokatit për të akuzuarin Woodbury dhe nuk ishte i mundur kontakti me të për të marrë një koment.
“Kërcënimet ndaj punonjësve të tillë publikë, që i kanë dedikuar jetën zbatimit të ligjeve tona penale, janë veçanërisht të dëmshme”, tha prokurori Buchanan nëpërmjet një deklarate. “Zyra jonë do të vazhdojë e vendosur për t’i ndihmuar zyrtarët publikë që të ushtrojnë detyrën e tyre pa frikë apo intimidim”.