Autoritetet policore të Maqedonisë së Veriut thanë të enjten se kanë arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Interpoli i Serbisë. Bëhet fjalë për Blerim Ramadanin, shtetas i Kosovës, i cili është ndaluar të mërkurën në pikë-kalimin kufitar Jazhincë - Glloboçicë, në veri të Tetovës.
Autoritetet maqedonase thonë se gjatë kontrollit të pasaportës kanë konstatuar se 47-vjeçari rezultonte i evidentuar me urdhrin “arresto” me kërkesë të Interpolit të Serbisë. Ramadani u është dorëzuar oficerëve të policisë në stacionin e Tetovës për procedura të mëtejme.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës, përmes ambasadës në Shkup kanë kërkuar lirimin e tij. Blerim Ramadani ka qenë pjesëtar i Zonës Operative të Nerodimes së ish-Ushtrisë Çlirmitare të Kosovës.
Veteranët e UÇK-së nga Ferizaji, ku bënte pjesë ish-luftëtari Ramadani, kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa aktakuzat e autoriteteve të Serbisë kundër pjesëtarëve të UÇK-së i quajnë të fabrikuara dhe arrestimet “të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë veteranët”.
Autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë shpjegime të tjera lidhur me procedurat rreth këtij rasti.