Lidhje

Rusi, të premtën mbahen argumentet përmbyllëse në gjyqin kundër gazetarit amerikan Gershkovich


Gazetari i 'Wall Street Journal' Evan Gershkovich qëndron i mbyllur në një qeli prej xhami në një gjykatë të Jekaterinburgut të Rusisë më 26 qershor 2024
Gazetari i 'Wall Street Journal' Evan Gershkovich qëndron i mbyllur në një qeli prej xhami në një gjykatë të Jekaterinburgut të Rusisë më 26 qershor 2024

Zyrtarët rus të drejtësisë kanë thënë se dëshmitë përfundimtare në rastin kundër gazetarit amerikan Evan Gershkovich do të mbahen të premten. Gazetari që punon për “The Wall Street Journal” po mbahet në burgun famëkeq rus Lefortovo prej më shumë se një viti. Gjykata në Jekaterinburg njoftoi se gazetari doli sot para gjyqtarit në seancën e dytë kundër tij. Gazeta dhe zyrtarët amerikanë e kanë denoncuar gjyqin si të sajuar dhe të paligjshëm. Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.

Rusi, vazhdon gjyqi kundër gazetarit amerikan Gershkovich
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Procesi ndaj gazetarit Gershkovich po mbahet me dyer të mbyllura në Jekaterinburg, qytet pranë maleve Urale ku ai u arrestua para më shumë se një viti. Ai akuzohet për spiunazh.

Gjatë seancës së parë, procesi u shty deri në mes të muajit gusht, por avokatët e gazetarit amerikan bënë kërkesë që procesi të vazhdojë me shpejtësi, njofton agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘RIA Novosti’ dhe faqja e pavarur e lajmeve në internet “Mediazoan”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha muajin e kaluar se gazetari akuzohet për “mbledhjen e informacioneve sekrete” me urdhër të CIA-s. Sipas akuzës, zoti Gershkovich po mblidhte informacion rreth Uralvagonzavod-it, një impiant rreth 150 kilometra në veri të Jakterinburgut që prodhon dhe riparon tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.

Gazeta ‘The Wall Street Journal’ dhe zyrtarë amerikanë e kanë hedhur poshtë akuzën dhe e kanë denoncuar procesin si të jashtëligjshëm.

"Arrestimi i padrejtë i Evan-it ka nxitur zemërim që nga arrestimi i tij, 477 ditë më parë. Ai duhet të lirohet menjëherë”, tha gazeta ‘Wall Street Journal” të enjten përmes një deklarate.

“Ndërsa Rusia orkestron gjyqin e turpshëm e të rremë, ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për lirimin e menjëhershëm të Evanit dhe për të thënë pa mëdyshje: Evani po bënte punën e tij si gazetar dhe gazetaria nuk është krim. Ktheni atë në shtëpi tani.”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel tha të enjten se Uashingtoni po e ndjek nga afër procesin kundër gazetarit Gershkovich. Megjithatë, kësaj radhe, tha zoti Patel stafi i ambasadës në Moskë nuk arriti të shkojë në gjykatë për shkak të njoftimit të momentit të fundit për mbajtjen e seancës së dytë kundër zotit Gershkovich.

Hera e fundit kur Ambasadorja amerikane në Moskë Tracy Lynn ishte lejuar të vizitonte gazetarin e “Wall Street Journa;” në burg ishte më 23 maj.

“Deri më sot, Rusia nuk ka ofruar asnjë dëshmi për kryerjen e një krimi dhe ka dështuar të justifikojë vazhdimin e mbajtjes në burg të Evanit”, tha zoti Patel gjatë konferencës së rregullt për shtypin në Uashington.

Ai kërkoi lirimin edhe të një amerikani tjetër, Paul Whelan, zyrtar i korporatave amerikane të sigurisë, që gjithashtu është burgosur me akuzën për spiunazh.

Vedant Patel nuk pranoi të thotë ndonjë detaj nga bisedimet me Moskën për shkëmbimin e të burgosurve, por tha se po punojnë që të dy “t’iu kthehen familjeve të tyre”.

“Evan nuk ka punuar kurrë për qeverinë amerikane dhe ai nuk është spiun. Gazetaria nuk është krim dhe Evani nuk duhej të ishte arrestuar. Rusia nuk ka dhënë prova që të justifikojnë vazhdimin e paraburgimit të tij”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare muajin e kaluar kur Rusia filloi procesin gjyqësor kundër zotit Gershkovich.

Nëse shpallet fajtor, zoti Gershkovich mund të dënohet me 20 vjet burg.

Rusia ka sinjalizuar mundësinë e një shkëmbimi të burgosurish që përfshin gazetarin Gershkovich, por ajo thotë se paraprakisht duhet të merret vendim për gazetarin, një gjë që mund të marrë muaj të tërë.

Por edhe nëse merret një vendim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit mund të duhen muaj apo vite.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të mërkurën në Kombet e Bashkuara se “shërbimet speciale” të Moskës dhe Uashingtonit po diskutojnë një shkëmbim të burgosurish që përfshin edhe zotin Gershkovich.

Është pothuajse e sigurt që gazetari Gershkovich do të dënohet. Gjykatat ruse dënojnë më shumë se 99% të të pandehurve. Prokurorët mund të apelojnë dënimet që i konsiderojnë si shumë të buta dhe madje mund të apelojnë edhe lirimin e tyre.

Gazetari i “The Wall Street Journal” është djal emigrantësh rusë nga Bashkimi Sovjetik. Ai është gazetari i parë amerikan që është arrestuar dhe gjykohet me akuzën për spiunazh në periudhën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë person ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.

Një tjetër gazetare amerikane, Alsu Kurmasheva mbahet në burg prej tetë muajsh për shkak se nuk u regjistrua si agjente e huaj. Gazetarja që ka edhe nënshtetësi ruse, e Radios Evropa e Lirë, që ashtu si Zëri i Amerikës, është pjesë e Agjencia Amerikane për Media Globale, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.

Arrestimet e amerikanëve janë gjithnjë e më të shpeshta në Rusi. Nëntë shtetas amerikanë deri më tani dihet se mbahen atje pasi tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar për shkak të luftës në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG