Ish-presidenti republikan Donald Trump thotë se ka në plan të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me NATO-n nëse ai zgjidhet për një mandat të dytë katërvjeçar në nëntor.
Gjatë fushatës, ai ka hedhur idenë e dërgimit të forcave të armatosura në Meksikë për të luftuar kartelet e drogës dhe vendosjen e tarifave të larta për miqtë dhe armiqtë e Amerikës.
Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të propozimeve të tij mbi politikën e jashtme, që zoti Trump është zotuar t’i zbatojë nëse i fiton zgjedhjet presidenciale të 2024-ës. Këtë javë ai zyrtarisht mori emërimin e Partisë Republikane në Milluoki si kandidat e saj presidenical.
NATO, UKRAINA DHE ALEATËT EVROPIAN
Zoti Trump ka thënë se nën presidencën e tij, Amerika do të rimendonte në thelb "qëllimin e NATO-s dhe misionin e NATO-s". Ai është zotuar t'i kërkojë Evropës të rimbursojë Shtetet e Bashkuara për "pothuajse 200 miliardë dollarë" në municionet e dërguara në Ukrainë dhe ai ende nuk është zotuar për dërgim të ndihmave të mëtejshme ushtarake për Kievin, nëse ai zgjidhet për një mandat të dytë katër vjeçar.
Ish Presidenti Trump shkurtoi fondet e mbrojtjes për NATO-n në pjesën e fundit të mandatit të tij dhe ai është ankuar shpeshherë se Amerika po paguante më shumë se sa i takonte të paguante krahasuar me kontributet e vendeve të tjera anëtare.
Për luftën në Ukrainë, ai ka thënë se do ta zgjidhte konfliktin edhe para se të merrte detyrën në janar. Megjithëse ai ka paraqitur vetëm disa propozime konkrete politikash, ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters në një intervistë vitin e kaluar se Ukrainës mund t'i duhet të heqë dorë nga disa territore për të arritur një marrëveshje paqeje. Dy këshilltarë të zotit Trump i thanë agjencisë së lajmeve Reuters në qershor se ata kishin paraqitur një plan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke kushtëzuar çdo ndihmë të mëtejshme armësh për Kievin në këmbim të pjesëmarrjes në bisedimet e paqes me Moskën.
Ndërsa zoti Trump sinjalizoi në fillim të prillit se ai do të ishte i hapur për dërgimin e ndihmës shtesë në Ukrainë në formën e një kredie, ai qëndroi kryesisht i heshtur për këtë çështje gjatë negociatave të vështira në Kongres mbi një ndihmë prej 61 miliardë dollarësh më vonë atë muaj.
KINA, TREGTIA DHE TAJVANI
Zoti Trump shpesh kërcënon se do të vendosë tarifa të reja të mëdha ose kufizime tregtare ndaj Kinës, si dhe ndaj disa aleatëve evropianë.
Propozimi i ish Presidentit Trump për masa tregtare reciproke do t'i jepte atij kompetenca të gjera për të rritur tarifat hakmarrëse ndaj vendeve nëse përcaktohet se ato kanë vendosur barriera tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai ka hedhur idenë e një tarife universale prej 10%, e cila mund të shkaktojë kaos në tregjet ndërkombëtare, dhe të paktën një tarifë 50% për Kinën.
Zoti Trump ka bërë thirrje që të hiqet statusi i Kinës si një vend i favorizuar, një status që përgjithësisht ul barrierat tregtare midis vendeve. Ai është zotuar të miratojë "kufizime të reja agresive mbi pronësinë kineze të çdo infrastrukture jetike në Shtetet e Bashkuara", dhe platforma zyrtare e Partisë Republikane bën thirrje për ndalimin e blerjes së pasurive të paluajtshme nga kompanitë dhe entietet kineze në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Trump ka deklaruar se Tajvani duhet të paguajë Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen, sepse Shtetet e Bashkuara nuk kanë përfituar asgjë nga ndihma që i kanë dhënë ishullit të pavarur. Në vend të kësaj, zoti Trump ka thënë se Tajvani u ka marrë Shteteve të Bashkuara "rreth 100% të biznesit të prodhimit të mikroprocesorëve". Ai ka thënë vazhdimisht se Kina nuk do të guxonte kurrë të sulmonte Tajvanin nëse ai do të ishte president.
MEKSIKA DHE LUFTA KUNDËR TRAFIKUT TË DROGËS
Ish Presidenti Trump ka thënë se do t'i shpallte kartelet e drogës që veprojnë në Meksikë organizata të huaja terroriste dhe do të urdhëronte Pentagonin "të përdorte forcat speciale" për të sulmuar udhëheqjen dhe infrastrukturën e grupeve të drogës, një veprim që nuk ka gjasa të marrë bekimin e qeverisë meksikane.
Ai ka thënë se do të aktivizojë marinën amerikane për të zbatuar një bllokadë kundër karteleve dhe do të përdorë Ligjin mbi Armiqtë e Huaj për të dëbuar trafikantët e drogës dhe anëtarët e bandave kriminale në Shtetet e Bashkuara.
Grupet e të drejtave civile dhe senatorët demokratë kanë bërë thirrje për shfuqizimin e ligjit, të miratuar në 1798, i cili i jep presidentit njëfarë autoriteti për të dëbuar shtetasit e huaj ndërsa vendi është në gjendje lufte.
Platforma e re e Partisë Republikane kërkon gjithashtu zhvendosjen e mijëra trupave të dislokuara jashtë vendit në kufirin SHBA-Meksikë për të luftuar imigracionin e paligjshëm.
KONFLIKTI NË IZRAEL
Pasi kritikoi për herë të parë udhëheqjen izraelite disa ditë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, zotit Trump ka thënë se Hamasi duhet "të shtypet". Ndërsa retorika e tij ka qenë luftarake, ai nuk ka ofruar propozime konkrete për zgjidhje politike, përveçse ka thënë se do të ishte më i ashpër ndaj Iranit, i cili është i lidhur ngushtë me grupet që Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur organizata terroriste, përfshirë Hamasin.
Ish Presidenti Trump ka thënë gjithashtu se do të kërkonte dëbimin e të gjithë personave, që janë "banorë të përhershëm" (të pajisur me karta jeshile) të Shteteve të Bashkuara, të cilët janë simpatizues të Hamasit.
KLIMA
Ish Presidenti Trump është zotuar në mënyrë të përsëritur të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit, një marrëveshje ndërkombëtare që synon të kufizojë çlirimin e gazeve serrë. Ai u tërhoq nga ajo gjatë mandatit të tij në detyrë, por Presidenti demokrat Joe Biden riktheu në vitin 2021 Shtetet e Bashkuar në këtë marrëveshje.
MBROJTJA NGA RAKETAT
Zoti Trump është zotuar të ndërtojë një forcë të sofistikuar tokësore të mbrojtjes nga raketat rreth Shteteve të Bashkuara. Ai nuk ka dhënë detaje, përveç se Forca Hapësinore, një degë ushtarake që krijoi administrata e tij, do të luante një rol udhëheqës në këtë proces.
Në platformën e Partisë Republikane, forca tokësore konsiderohet si "Mburojë e Hekurt", një shprehje, që shpesh i referohet sistemit izraelit të mbrojtjes nga raketat, i cili ka të