UASHINGTON – Gati dy të tretat e demokratëve thonë se Presidenti Joe Biden duhet të tërhiqet nga gara presidenciale dhe të lejojë partinë e tij të emërojë një kandidat tjetër, sipas një ankete të re, që bie dukshëm ndesh me pohimin e tij pas debatit se “shumica e demokratëve” janë me të edhe pse disa “emra me peshë” po kthehen kundër tij.
Anketa e re e zhvilluar nga agjencia e lajmeve Associated Press me Qendrën për Hulumtim të Çështjeve Publike NORC dy javë pas paraqitjes së dobët të Presidentit Biden në debat, po ashtu arriti në përfundimin se vetëm rreth 3 në 10 demokratë janë tepër të bindur ose shumë të bindur se zoti Biden ka aftësinë e duhur mendore të shërbejë me efikasitet si president, një rënie prej 40 për qind në krahasim me anketën e zhvilluar nga këto organizata në muajin shkurt.
Këto përfundimi nxjerrin në pah sfidat me të cilat përballet presidenti 81 vjeçar ndërkohë që përpiqet t’u japë fundi zërave brenda partisë së tij për t’u larguar nga gara dhe mundohet të bindë demokratët se ai është kandidati më i mirë për të mundur ish-presidentin Donald Trump. Anketa është kryer kryesisht para përpjekjes për atentant të shtunën ndaj zotit Trump gjatë një tubimi zgjedhor në Pensilvani. Është e paqartë nëse atentati ndikoi në qëndrimet e të anketuarve për zotin Biden, por një numër i vogël i pyetjeve të sondazhit, që u bënë pas kësaj ngjarjeje nuk përcjellin ndonjë sinjal paraprak se gjasat e tij janë përmirësuar.
Ndërkohë që nënpresidentja Kamala Harris po vihet në qendër të vëmendjes në kuadër të debatit nëse zoti Biden duhet të largohet nga gara, përfundimet e anketës tregojnë një vlerësim të ngjashëm edhe për të – por përqindja e amerikanëve që kanë një mendim të pafavorshëm për të është pak më e ulët.
Anketa tregon se demokratët afrikano-amerikanë janë përkrahësit më të fuqishëm të zotit Biden, me gati gjysmën e të anketuarve që thotë se ai duhet të vazhdojë garën, krahasuar me 3 ndër 10 demokratë të bardhë apo hispanikë. Në përgjithësi, shtatë në 10 amerikanë mendojnë se zoti Biden duhet të tërhiqet nga gara. Numri i demokratëve që mendojnë se ai duhet të largohet po i afrohet atij të republikanëve dhe të votuesve të pavarur që thonë se zoti Biden duhet t’i hapë rrugën një të emëruari të ri nga radhët e demokratëve.
“Sinqerisht jam i shqetësuar lidhur aftësinë e tij për të shërbyer në këtë post,” shprehet demokrati 27 vjeçar nga Denveri, Andrew Holcomb. “Është shumë i moshuar.”
Demokratja 50 vjeçare nga Walls i Misisipit, Janie Stapleton mban një qëndrim tjetër, duke thënë se zoti Biden është “kandidati më i mirë” për president.
Votuesit nuk janë të pakënaqur vetëm me zotin Biden.
Rreth 6 në 10 amerikanë duan që zoti Trump të tërhiqet – por vetëm disa republikanë e ndajnë këtë mendim.
Përsa i përket zotit Biden, janë përgjithësisht të rinjtë demokratë që duan që ai të tërhiqet dhe që thonë se janë të pakënaqur me të. Tre të katërtat e demokratëve nën moshën 45 vjeçare duan që zoti Biden të largohet, krahasuar me 6 ndër 10 të atyre që janë më të moshuar.
“Është e trishtueshme që kemi këta dy individë si alternativa,” thotë Alexi Mitchell, 35 vjeçe, që jeton në Virxhinia. Ajo identifikohet si votuese e pavarur, me prirje demokrate, që ndonëse mendon se zoti Biden është ende i aftë për të shërbyer në këtë post, është e shqetësuar se zbehja e përkrahjes ndaj tij në javët e fundit e bën atë kandidat të dobët, pavarësisht se çfarë ndodh më tej. “Nëse ai nuk ka nën kontroll partinë e tij, është një e metë fatale,” thotë ajo. “Na ka vënë në një pozitë të palakmueshme ku Trumpi mund të fitojë.”
Demokratët janë më të prirur të thonë se janë të pakënaqur me zotin Biden si të emëruarin e tyre tani se para paraqitjes së tij në debat. Rreth gjysma janë të pakënaqur, një rritje prej rreth 4 në 10 nga anketa e qershorit.
Ndërkohë shumica e republikanëve – rreth 6 në 10 – ishin të kënaqur apo shumë të kënaqur me zotin Trump si kandidat të tyre. Vetëm një numër i vogël i intervistave u realizuan pas përpjekjes për atentat ndaj tij për të dhënë ndonjë shenjë të qartë nëse republikanët apo amerikanët në përgjithësi janë mobilizuar edhe më shumë rreth zotit Trump që nga ajo ditë.
Demokrati nga Soddy-Daisy në Tenesi, David Parrott thotë se ishte i gatshëm të mos ta paragjykonte zotin Biden për shkak të moshës, megjithatë ai shprehu shqetësim për një mandat të dytë.
“Nuk e di nëse do të mund t’ia dalë edhe për katër vite,” thotë 58 vjeçari Parrott.
Zhvillimet e fundit kanë bërë që amerikanët të mendojnë se zoti Trump ka më shumë gjasa të fitojë zgjedhjet e vitit 2024 se zoti Biden – me një diferencë 42 me 18 për qind. Rreth një e katërta mendojnë se të dy kanë gjasa të njëjta për të fituar.
Edhe demokratët janë disi pesimistë përsa u përket gjasave të partisë së tyre në nëntor.
Vetëm një e treta e demokratëve besojnë se zoti Biden ka më shumë gjasa se zoti Trump të fitojë zgjedhjet. Rreth 3 në 10 mendojnë se dy kandidatët kanë gjasa të njëjta të fitojnë dhe 16 për qind thonë se republikanët kanë më shumë gjasa të fitojnë. Në krahasim me ta, pjesa dërrmuese e republikanëve janë të bindur se zoti Trump është në pozitën më të mirë të fitojë.
Zoti Trump ka epërsi ndaj zotit Biden edhe kur amerikanët shqyrtojnë se kush është më i aftë të menaxhojë kriza, me 38 për qind ndaj 28 për qind. Votuesit janë po të ndarë lidhur me vizionin më të mirë për vendin, me 35 për qind të anketuarve në favor të zotit Biden dhe 34 për qind për zotin Trump.
Megjithë zhgënjimin me të cilin po përballet zoti Biden, Presidenti këmbëngul që nuk është shumë vonë të ndryshojë situata, duke thënë që presidentët në të kaluarën e kanë kthyer kahjen e fushatës.
Anketa gjithashtu ofroi një arsye për optimizëm për zotin Biden: 40 për qind e amerikanëve thotë se ai është më i sinqertë se zoti Trump, ndërkaq 2 në 10 të anketuar mendojnë të kundërtën.
Shumica e demokratëve – rreth 6 në 10 – thonë se nënpresidentja Harris do të ishte një presidente e mirë, ndërsa 22 për qind mendojnë të kundërtën dhe 2 në 10 të të anketuarve nuk mendojnë se kanë njohuri të mjaftueshme për të gjykuar. Anketa tregoi se 43 për qind e amerikanëve kanë një mendim të favorshëm për të, ndërsa 48 për qind kanë mendim jo të mirë. Rreth 6 në 10 amerikanë kanë mendim negativ për zotin Biden.
Anketa është realizuar para se zoti Trump të zgjidhte politikanin e ri, Senatorin JD Vance si kandidat për nënpresident. Ajo tregoi se për shumicën e amerikanëve, zoti Vance është ende figurë e panjohur. Gjashtë nga 10 të anketuar nuk kanë informacion të mjaftueshëm për të krijuar një mendim për të, ndërsa 17 për qind kanë përshtypje të favorshme dhe 22 për qind mendim negativ për të.
Anketa është realizuar me 1,253 të anketuar në periudhën mes 11-15 korrik të vitit 2024, me një mundësi gabimi prej 3.8 për qind.