Përballë një mungese të theksuar të fuqisë njerëzore dhe armatimit, ushtria ukrainase shpreson se qindra ndërmarrje të reja brenda vendit do të ofrojnë pajisje luftarake për fushën e betejës, që nga pastrimi nga minat dhe evakuimi i automatizuar i të plagosurve, e deri tek mbajtja e pajisjeve të një ushtari.
Ukraina formoi në muajin maj degën e katërt të ushtrisë, “Forcat e Sistemeve pa Pilot”, për t’i shërbyer përpjekjeve të ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore.
Në një fushë në Ukrainën veriore, automjeti Odisea lëshon një re të vogël pluhuri ndërsa gjëmon përpara. Në madhësinë e një makine, automjeti me zinxhirë kontrollohet nga distanca nga drejtuesi i një ndërmarrje të re për mbrojtjen, Andrii Denysenko.
“Ky është droni më i madh në Ukrainë i këtij modeli. Gjithashtu, ky mjet kushton 10 herë më lirë se një produkt i ngjashëm i ardhur nga Evropa”, thotë ai.
Prototipi me peshë 800 kilogramë është një nga dhjetëra automjetet që presin vlerësimin nga ushtria e Ukrainës, ndërsa ai vend përshpejton automatizimin e mëtejshëm në fushën e betejës dhe shtimin e aftësive përballë fuqisë ushtarake superiore të Rusisë.
“Nuk kemi shumë ushtarë që mund të lu c ftojnë në fushën e betejës prandaj duhet të krijojmë diçka të re, një mënyrë të re për të luftuar, pa dëmtuar forcat e mbrojtjes. Ushtarët do të jenë ata që do t’i manovrojnë këto makineri nga distanca për të luftuar në betejat e rrezikshme”, thotë Andrii Denysenko, me firmën “UkrPrototyp”.
Përballë mungesës së fuqisë njerëzore dhe ndihmës ndërkombëtare, Ukraina po has vështirësi në luftën e saj për të frenuar përparimin e trupave ruse në pjesën lindore dhe po mbështetet fuqishëm tek novacionet brenda vendit.
Ky dron me zinxhirë është ndërtuar për të vepruar si një mjet shpëtimi dhe furnizimi. Automjeti mund të modifikohet për të mbajtur një mitraloz të rëndë të komanduar nga distanca ose mjete shpërthyese për pastrimin e tokës nga minat. Ky dron kushton rreth 35 mijë dollarë.
Firma e zotit Denysenko po punon në projekte të ndryshme, përfshirë krijimin e një skeleti robotik për të rritur fuqinë e një ushtari dhe mjete për transportin e pajisjeve të ushtarëve.
Ukraina ka dronë sulmues gjysmë autonom dhe armë kundër dronëve të pajisura me inteligjencë artificiale. Kritikët thonë se ndërthurja e armëve me kosto të ulët dhe aftësive që ofron inteligjenca artificiale mund të përbëjnë rrezik për përhapjen e këtyre armëve dhe zgjerimin e konflikteve.