Një kërcënim nga Irani bëri që Shërbimi Sekret të shtonte masat e sigurisë për kandidatin republikan për president, Donald Trump, përpara tentativës për vrasjen e ish-presidentit të shtunën, megjithëse nuk duket se ka lidhje me atentatin, sipas dy zyrtarëve amerikanë.
Me të mësuar për kërcënimin, administrata e Presidentit Biden i kontaktoi drejtuesit e lartë të Shërbimit Sekret, thanë zyrtarët, duke njoftuar gjithashtu edhe agjentin që drejton ekipin për sigurinë e ish Presidentit Trump, si dhe drejtuesit e fushatës së tij. Kjo e shtyu agjencinë që të shtojë burimet dhe masat e sigurisë rreth zotit Trump, thanë zyrtarët në kushte anonime.
Burimet shtesë nuk e parandaluan sulmin e së shtunës ndaj ish Presidentit Trump në një tubim në Pensilvani që e la atë të plagosur në vesh. Një 20-vjeçar hapi zjarr nga një çati aty pranë me një armë të tipi AR duke vrarë një pjesëmarrës në tubim dhe plagosur rëndë dy të tjerë.
“Siç jemi shprehur shumë herë, për vite me radhë kemi gjurmuar kërcënimet iraniane kundër ish zyrtarëve të administratës së Presidentit Trump, që datojnë që nga koha kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson. “Këto kërcënime janë rezultat i përpjekjeve të Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e Qasseem Soleimani-t. Ne e konsiderojmë këtë çështje të sigurisë kombëtare të prioritetit më të lartë”. Në vitin 2020, zoti Trump urdhëroi eliminimin e Soleimani-t, i cili drejtonte Forcat Quds të Gardës Revolucionare Islamike iraniane.
“Aktualisht, forcat e rendit kanë raportuar se hetimi i tyre nuk ka identifikuar lidhje midis sulmuesit dhe ndonjë bashkëpunëtori të huaj apo vendas”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.
Zyrtarët federalë të zbatimit të ligjit po paralajmërojnë gjithashtu për sulme të mundshme ose hakmarrëse në lidhje me zgjedhjet pas tentativës për vrasjen e zotit Trump. Ndërkohë që janë shtuar masat e sigurisë për Presidentin Biden, Shërbimi Sekret ka ofruar një ekip për mbrojtjen e sigurisë së kandidatit të pavarur për president, Rober F. Kennedy Jr.
Presidentët dhe kandidatët për Shtëpinë e Bardhë janë gjithmonë subjekt kërcënimesh. Por retorika në internet pas atentatit ndaj zotit Trump ka qenë veçanërisht shqetësuese, “duke patur parasysh se individë në internet kanë kërcënuar, inkurajuar ose kanë folur për akte dhune si reagim ndaj tentativës për vrasjen e zotit Trump”, sipas një buletini të Byrosë Federale të Hetimeve dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, që i ka rënë në dorë agjencisë së lajmeve Associated Press.