Gjykatësja Aileen Cannon në Florida pushoi të hënën çështjen gjyqësore me akuza penale ndaj ish-presidentit Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. Kjo është një tjetër fitore e rëndësishme ligjore për kandidatin republikan për president.
Gjykatësja Cannon, e cila u emërua në këtë detyrë nga ish-presidenti Trump gjatë mandatit të tij, vendosi se prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili drejton hetimin, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në këtë rol dhe se ai nuk e kishte autoritetin ligjor për të ngritur një padi të tillë. Në urdhërin prej 93 faqesh të gjykatëses Cannon thuhet se prokurori i posaçëm duhet të ishte emëruar me miratimin e Kongresit.
"Posti i Prokurorit të Posaçëm uzurpon efektivisht një kompetencë të rëndësishme legjislative, ia transferon atë një drejtuesi departamenti dhe vendos në rrezik lirinë strukturore të mishëruar në ndarjen e pushteteve", shkruhet në urdhërin e gjykatëses.
Vendimi i gjykatëses Cannon, i cili mund të rrëzohet nga një gjykatë e nivelit më të lartë, është një arritje e rëndësishme ligjore për ish-presidentin Trump, që vjen pasi më 1 korrik Gjykata e Lartë vendosi se ish-presidenti gëzon imunitet nga hetimet për shumë nga veprimet e ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.
Në një deklaratë në platformën e tij të medias sociale, ish-presidenti Trump tha se pushimi i kësaj çështjeje "duhet të jetë vetëm hapi i parë" dhe se tre çështje të tjera, të cilat ai i quajti "gjueti shtrigash", duhet gjithashtu të pushohen.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pas një tentative të dështuar në Pensilvani për vrasjen e ish-presidentit Trump, i cili pritet të marrë emërimin si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane gjatë konventës kombëtare që mbahet këtë javë në Miluoki.
Gjasat janë që prokurorët do ta apelojnë vendimin. Në çështje të mëparshme gjyqësore, gjykatat kanë vendosur në favor të autoritetit të Departamentit të Drejtësisë për të caktuar prokurorë të posaçëm për çështje hetimore me rëndësi politike.
Por vendimi i gjykatëses Cannon e vë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj padie, që ishte një sfidë serioze ligjore për ish-presidentin Trump. Prokurori Smith ka paraqitur padi ndaj ish-presidentit Trump edhe në gjykatën në Uashington, në lidhje me përpjekjet për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Sidoqoftë, avokatët e tij nuk kanë bërë një kërkesë të ngjashme për të sfiduar rolin e prokurorit edhe për këtë çështje.
Në padinë për dokumentet, ish-presidenti Trump akuzohej se pati marrë në rrugë të paligjshme dokumente me informacione sekrete të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Mar-a-Lago, pasi ishte larguar nga detyra dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i rimarrë këto materiale.
Dy persona të tjerë, ish-ndihmësi personal i ish-presidentit Trump, Walt Nauta dhe një administrator i Mar-a-Lagos, Carlos De Oliviera, gjithashtu ishin akuzuar për pengim të hetimeve.
Avokatët e ish-presidentit Trump kishin ngritur pikëpyetje rreth ligjshmërisë së vendimit të prokurorit të përgjithshëm Merrick Garland në vitin 2022 për të emëruar prokurorin Smith në krye të hetimeve ndaj ish-presidentit Trump. Avokatët argumentuan se emërimi i prokurorit shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, pasi nuk ishte një post i krijuar nga Kongresi dhe emërimi i tij nuk u konfirmua nga Senati.
"Ky vendim u kundërvihet precedentëve institucionalë të 20 viteve, vendimeve të dhëna për hetimin e prokurorit Mueller, si dhe në Uashington për vetë prokurorin Jack Smith", tha Bradley Moss, jurist i specializuar për çështjet e sigurisë kombëtare. Ai shtoi se tashmë ngrihet gjithashtu mundësia që prokurori Smith të kërkojë heqjen e gjykatëses Cannon nga kjo çështje gjyqësore.
Zyra e prokurorit Smith nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Juristët në zyrën e tij patën paraqitur argumenta të kundërta, duke u shprehur se ekziston një praktikë e hershme për caktimin e prokurorëve të posaçëm për të drejtuar hetimet për çështje delikate politike.