Lidhje

Shqiptaro-amerikani Vatan Cana dëshmitar në sulmin ndaj ish-Presidentit tregon si ndodhi ngjarja


Vatan Cana
Vatan Cana

Një prej dëshmitarëve në vendngjarjen e atentatit ndaj kandidatit të pritshëm republikan Donald Trump, ishte shqiptaro-amerikani Vatan Cana. Ai ka regjistruar disa pamje gjatë kohës së sulmit. Në një bisedë me Zërin e Amerikës nga Nju Jorku një ditë pas atentantit ndaj zotit Trump, ai i tregoi për skenat kaotike pas të shtenave, përfshirë pamjet e zotit Trump të plagosur ndërsa po largohej nga vendi i ngjarjes.

Shqiptaro-amerikani Vatan Cana, që jeton në Nju Jork, thotë se kishte shkuar me një grup shokësh në Batlër të Pensilavnisë të shtunën, për të marrë pjesë në tubimin elektoral të kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale, Donald Trump. Për të shkuar në tubimin, ku sipas tij po merrnin pjesë disa mijëra pjesëmarrës, ai kishte kaluar nëpër kontrolle të shumta sigurie. Nga një largësi prej 30 metrash nga skena ku po fliste zoti Trump, Cana tha se kishte dëgjuar “dy-tre plumba që erdhën nga ana e djathtë” e kandidatit presidencial.

Ai thotë se plumbat fillimisht kishin goditur mbajtëset e altoparlantëve dhe një kamion me ujë të vendosur pranë, uji i cili kishte spërkatur turmën. Në ato momente, thotë Cana, turma kishte menduar se zjarrfikësit hodhën ujë ndaj sulmuesit.

“Pas asaj kemi dëgjuar edhe 2-3 të shtëna të tjera. Kur ka ndodhur kjo, të gjithë pjesëmarrësit u ulën në tokë,” i tha ai Zërit të Amerikës.

Ai thotë se ndërsa shokët e tij ishin të hutuar se për çfarë bëhej fjalë, duke patur përvojën e luftës në Kosovë, Cana ishte i bindur se bëhej fjalë për shkrepje plumbash.

“U çova dhe thashë, ta incizoj, ta shoh çfarë po ndodh. E nxora telefonin, e pashë Trumpin kur u ngrit, që kishte gjak. I thashë shokut tim se e kanë qëlluar, por nuk dinim sa keq ishte situata. U mundova ta mbaj telefonin sa ma drejt që është e mundur,” tha ai.

“(Trump) u ngrit dhe ngriti grushtin. Nuk e di si e ka patur atë kurajo, si e ka bërë atë punë dhe kur e çoi grushtin lart, të gjithë u gjallëruan dhe të gjithë brohorisnin ‘Trump, Trump’, ‘USA, USA’,” sipas Canës.

Sipas tij, pjesëtarët e Shërbimit Sekret kanë urdhëruar të pranishmit të qëndrojnë të ulur poshtë.

“Me një moment jemi ngritur të gjithë, por sa jemi ngritur, një tjetër nga shërbimet sekrete na thoshte ‘rrini poshtë se mund të ketë një gjuajtje tjetër,’” thotë Cana. Ai thotë se me të dëgjuar këto fjalë, “të gjithë kanë filluar të vrapojnë, filluan të qajnë. Kishte fëmijë, njerëz. Ka qenë një skenë shumë e frikshme se nuk dihej se çfarë do të ndodhte tjetër”.

Ai përshkroi barrikadat e rrëzuara nëpër tokë nga turmat e njerëzve që iknin nga vendi i tubimit me vrap dhe që përpiqeshin të strehoheshin në banjo dhe nën makinat pranë. Ndërsa po largohej nga vendi i ngjarjes, Cana thotë se kaloi pranë vendit nga ku kishte hapur zjarr sulmuesi dhe kishte parë njësitë e policisë dhe shërbimit sekret ndërsa po ngjiteshin në çatinë ku kishte qëndruar sulmuesi.

“Nuk mund ta besonim që kjo po ndodh... Kam pasur ethe ndoshta për 20 minuta sepse nuk arrita ta besoja që isha edhe unë aty”, thotë Cana i pyetur për ndikimin e ngjarjes tek ai.

Dëshmitarët dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit thonë se autori 20 vjeçar i atentatit Thomas Matthew Crooks ka ecur afër tubimit zgjedhor për të paktën gjysëm ore para se të hipte mbi çatinë e një objekti afër vendit ku fliste zoti Trump.

Ndërsa ata që merrnin pjesë në tubim filluan të bërtasin për të tërhequr vëmendjen e policisë, Crooks arriti të kryej sulmin. Një snajpër i shërbimit sekret qëlloi brenda 15 sekondash duke e vrarë Crooks me një goditje në kokë.

Ish Presidenti Trump tha se njëri nga plumbat i ka prerë veshin e djathtë dhe se lëvizja e kokës brenda pak sekondash i shpëtoi jetën nga një goditje e dytë potencialisht fatale.

XS
SM
MD
LG