Lidhje

NATO përmbyll takimin e nivelit të lartë me garanci sigurie për Ukrainën


Gjatë paraqitjes ceremoniale të flamujve të NATO-s në Uashington
Gjatë paraqitjes ceremoniale të flamujve të NATO-s në Uashington

Drejtuesit e vendeve anëtare të NATO-s u larguan drejt kryeqyteteve të tyre të premten, pas takimit treditor të nivelit të lartë, gjatë të cilit shënuan 75-vjetorin e aleancës dhe bënë angazhime afatgjata për mbështetje ushtarake ndaj Ukrainës, si dhe duke i premtuar asaj një të ardhme në NATO. Udhëheqësit perëndimorë deklaruan gjithashtu se Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po ndihmojnë Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

Në deklaratën përfundimtare të takimit, aleatët thanë se sulmi i Rusisë në Ukrainë mbi dy vite më parë, gjithashtu “tronditi paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike dhe dëmtoi rëndë sigurinë globale”.

Duke deklaruar se Rusia “mbetet kërcënimi më domethënës dhe më i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së aleatëve”, vendet e NATO-s ndërmorën hapat për t’u siguruar se Ukraina do të fitojë përballë forcave pushtuese.

Aleanca ra dakort të premtojë ndihmë afatgjatë sigurie për Ukrainën dhe krijoi një komandë të re ushtarake që do të njihet me emërtimin NSATU (NATO Security Assistance and Training Ukraine), për të koordinuar dhënien e paisjeve ushtarake dhe programet përgatitore për Ukrainën.

Gjatë një konference për shtyp të enjten, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleanca do të koordinojë kontributet për stërvitjet, paisjet dhe mbështetjen për luftën e Ukrainës, nëpërmjet një komande në Wiesbaden, Gjermani dhe qendrave të logjistikës në pjesën lindore të aleancës.

Jens Stoltenberg duke folur në konferencën për shtyp
Jens Stoltenberg duke folur në konferencën për shtyp

Zoti Stoltenberg tha se vendet e NATO-s ranë dakort për një kontribut bazë prej rreth 43 miliardë dollarësh në vit për Ukrainën. Ai bëri edhe njoftime të tjera gjatë takimit të nivelit të lartë për ndihma të menjëhershme ushtarake për Ukrainën, përfshirë armatime jetike për mbrojtjen kundërajrore.

Në një intervistë për shërbimin në gjuhën koreane të Zërit të Amerikës, ish zv.sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, tha se mbështetja e vendosur për Ukrainën u jep një mesazh të fortë të gjithë atyre që janë të shqetësuar nga agresioni i Rusisë.

Ajo tha se kjo tregon se NATO është e angazhuar “që kjo të mos shndërrohet në një shembull për autokratët në pjesë të tjera të botës”.

Zoti Stoltenberg vuri në dukje pjesëmarrjen në bisedime të presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, si një demonstrim se sa e ndërlidhur është siguria evropiane me atë të rajonit Indo-Paqësor.

“Të gjithë e dimë se lufta e jashtëligjshme e Rusisë në Ukrainë, mbështetet nga Kina, nga Irani dhe jo më pak nga Koreja e Veriut”, tha zoti Stoltenberg.

Gjatë punimeve të takimit të nivelit të lartë në Uashington
Gjatë punimeve të takimit të nivelit të lartë në Uashington

Në deklaratën përfundimtare, vendet e NATO-s vënë në dukje se Koreja e Veriut dhe Irani po e ushqejnë luftën e Rusisë me mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake, në formën e municioneve dhe dronëve.

Aleatët gjithashtu e quajnë Kinën “mundësuese vendimtare e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës”, nëpërmjet mbështetjes në shkallë të gjerë për industrinë ruse në fushën e mbrojtjes. Megjithëse nuk i dërgon Rusisë ndihma të drejtpërdrejta ushtarake, Kina e ndihmon Rusinë duke i dërguar materiale me përdorim të dyfishtë, si pjesë të sistemeve të armatimit, paisje dhe materiale bazë që shërbejnë për të ushqyer sektorin e mbrojtjes së Rusisë.

Nëpërmjet deklaratës së tyre përfundimtare, vendet e NATO-s i bëjnë thirrje Pekinit t’i japë fund mbështetjes për Rusinë, duke u shprehur se Kina “nuk mundet të mundësojë luftën më të madhe në historinë rishtazi të Evropës, pa ndikuar negativisht edhe tek interesat dhe reputacioni i saj”.

XS
SM
MD
LG