Lidhje

Rritet numri i ligjvënësve demokratë që kërkojnë largimin e zotit Biden nga gara presidenciale


Ndërtesa e Kongresit Amerikan
Ndërtesa e Kongresit Amerikan

Një numër në rritje demokratësh në Kongres po i bëjnë thirrje presidentit demokrat Joe Biden që të largohet nga gara për presidenciale pasi presidenti aktual 81-vjeçar bëri një paraqitje të dobët në debatit me rivalin republikan Donald Trump.

Ndërsa shumë ligjvënës kanë shprehur shqetësimin për pasojat e vazhdimit të garës së zotit Biden për President dhe të tjerë kanë mbështetur me vendosmëri planet e presidentit aktual, 13 ligjvënës demokratë kanë kërkuar në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë që zoti Biden të largohet nga gara për president.

SENATORI PETER WELCH

"Për të mirën e vendit, unë po i bëj thirrje Presidentit Biden të tërhiqet nga gara", shkroi senatori nga Vermonti në një artikull në gazetën Washington Post. Peter Welch ishte senatori i parë demokrat që i bëri thirrje zotit Biden të tërhiqej nga gara për president.

LIGJVËNËSI BRAD SCHNEIDER

"Ka ardhur koha që Presidenti Biden t'ia kalojë heroikisht pishtarin një gjenerate të re udhëheqësish për të na udhëhequr drejt së ardhmes që ai na ka mundësuar dhe fuqizuar për ta ndjekur", tha përmes një deklarate ligjvënësi nga Ilinoi, Brad Schneider.

LIGJVËNËSJA HILLARY SCHOLTEN

“Për të mirën e demokracisë sonë, besoj se është koha që ai të largohet nga gara presidenciale dhe të lejojë ngritjen e një udhëheqësi të ri”, tha ligjvënësja nga Miçigani, Hillary Scholten. Në një postim në mediat sociale ajo tha se "është thelbësore që ne të kemi kandidatin më të fortë të mundshëm të partisë sonë, jo vetëm për të fituar, por edhe për të qeverisur."


LIGJVËNËSI PAT RYAN

“Joe Biden është një patriot, por nuk është më kandidati më i mirë për të mposhtur Trumpin”, tha ligjvënësi Ryan, i cili përmbysi një qark të Nju Jorkut të kontrolluar nga republikanët në 2019. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se "për të mirën e vendit tonë, unë i bëj thirrje zotit Joe Biden të largohet nga gara, për të përmbushur premtimin e tij për të qenë një urë lidhëse për një brez të ri udhëheqësish."

LIGJVËNËSJA MIKIE SHERRILL

“Për shkak se e di që presidenti Biden ka një interes të thellë për të ardhmen e vendit tonë, kërkoj që ai të deklarojë se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë dhe të na udhëheqë përmes një procesi drejt një kandidati të ri”, tha përmes një deklarate ligjvënësja nga Nju Xhersi Mikie Sherrill.

LIGJVËNËSI ADAM SMITH

"Presidenti Biden duhet të heqë dorë nga kandidatura e tij për një mandat të dytë në detyrën e Presidentit dhe të lirojë delegatët e tij në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve për t'i mundësuar partisë të emërojë një kandidat të ri për President", tha përmes një deklarate ligjvënësi Adam Smith. "Paraqitja e Presidentit në debat ishte alarmante dhe populli amerikan e ka bërë të qartë se nuk e sheh më atë si një kandidat të besueshëm për të shërbyer edhe katër vjet si President. Që nga debati, Presidenti nuk i ka trajtuar seriozisht këto shqetësime. Kjo është e papranueshme."

LIGJVËNËSI LLOYD DOGGETT

Ligjvënësi Lloyd Doggett, i cili përfaqëson një zonë të sigurt të demokratëve në Teksas, ishte demokrati i parë në Kongres që bëri thirrje për largimin e zotit Biden nga gara për president.
“Presidenti Biden ka vazhduar të ketë një paraqitja shumë më të ulët në sondazhe se senatorët demokratë në shtetet kyçe dhe në shumicën e sondazheve ai është mbrapa zotit Trump”, tha ai përmes një deklarate. "Unë shpresoja se debati do të ofronte një mundësi për ta ndryshuar këtë. Kjo nuk ndodhi."

LIGJVËNËSI RAUL GRIJALVA

Ligjvënësi Raul Grijalva, një liberal që përfaqëson një zonë në Arizonën jugore përgjatë kufirit me Meksikën, i tha gazetës New York Times se ka ardhur koha që Biden të largohet nga gara, duke thënë: "Nëse ai do të jetë kandidati ynë, unë do ta mbështes atë, por unë mendojë se kjo është një mundësi për të zgjedhur një kandidat tjetër." Ndihmësit e ligjvënësit Grijalva nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

LIGJVËNËSI SETH MOULTON

Seth Moulton, një ligjvënës demokrat nga Masaçusetsi, vlerësoi punën e zotit Biden në shërbim të vendit, por tha gjatë një interviste në një radiostacion lokal se presidenti duhet të ndiqte "gjurmët e George Washingtonit (Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës) dhe të largohej nga gara presidenciae, duke i hapur rrugën udhëheqësve të rinj për t’u përballur me zotin Donald Trump".

LIGJVËNËSI MIKE QUIGLEY

Mike Quigley, një ligjvënës demokrat i moderuar, tha se zoti Biden duhet të tërhiqet dhe "të lërë dikë tjetër ta bëjë këtë", përndrysh do të rrezikojë një "katastrofë të plotë".

LIGJVËNËSJA ANGIE CRAIG

Angie Craig, e cila përfaqëson një zone të Minesotës që konsiderohet si një përparësi kryesore për republikanët për të fituar sërish në zgjedhjet e nëntorit, ishte ligjvënësja e parë në detyrë nga një zonë shumë konkurruese që bëri thirrje për largimin e zotit Biden gara.

"Duke patur parasysh atë që pashë dhe dëgjova nga presidenti gjatë debatit të javës së kaluar në Atlanta, së bashku me mungesën e një përgjigjeje të fortë nga vetë presidenti pas atij debati, nuk besoj se presidenti mund të bëjë fushatë efektive dhe të fitojë kundër Donald Trumpit", tha ligjvënësja Craig.

LIGJVËNËSI EARL BLUMENAUER

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me zgjatjen e presidencës së tij, por edhe me mbrojtjen e demokracisë", tha ligjvënësi Blumenauer.

“Ndërsa ky është një vendim, që duhet të merret nga vetë presidenti dhe zonja e parë, shpresoj se ata do të arrijnë në të njëjtin konkluzion si unë dhe të tjerët se zoti Biden nuk duhet të jetë kandidat i demokratëve për president”, shtoi ai.


LIGJVËNËSI GREG STANTION

Listës së demokratëve që po bëjnë thirrje për largimin e zotit Biden nga gara për president iu shtua të enjten vonë edhe ligjvënësi demokrat nga Arizona Greg Stantion.

XS
SM
MD
LG