Lidhje

Perëndimi po përgatitet për një garë armatimi me Rusinë dhe aleatët e saj


Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtypin në takimin e NATO-s në Uashington-11 korrik 2024.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtypin në takimin e NATO-s në Uashington-11 korrik 2024.

Ndërsa pjesa më e madhe e takimit të NATO-s në Uashington ka qenë e përqendruar në mbështetjen për Ukrainën, disa zyrtarë perëndimorë janë po aq të vendosur të përballen me një sfidë tjetër të nxitur nga agresioni rus në Ukrainë, një garë armatimi me pasoja globale.

Zyrtarët argumentojnë se nuk është më e mjaftueshme për të siguruar që Ukraina të ketë armët dhe sistemet që i nevojiten për të vazhduar rezistencën ndaj sulmeve të pandërprera të Rusisë. Ata thonë se NATO njëkohësisht duhet të përgatitet për të shpenzuar në fushën e mbrojtjes më shumë se sa ushtria ruse dhe aleatët e saj.

"Nuk kemi kohë për të humbur", i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i NATO-s, duke folur në kushte anonimiteti, i cili ka njohuri mbi diskutimet lidhur me bashkëpunimin ushtarak në rritje midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.

“Kjo duhet të jetë një përparësi kyçe për të gjithë aleatët tanë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e shpenzimeve, por edhe tejkalimin e aftësive të tyre ushtarake”, tha zyrtari.

Zyrtarët kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën se po luan një rol kritik në mbështetjen e ushtrisë ruse, duke i dërguar Moskës lëndët e para dhe të ashtuquajturit komponentë me përdorim të dyfishtë të nevojshëm për prodhimin e armëve dhe sistemeve të avancuara të armëve.

Në prill dhe maj, Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën sanksione të reja kundër kompanive dhe zyrtarëve iranianë të përfshirë në prodhimin e dronëve për ushtrinë ruse.

Dokumentet sekrete të bëra publike nga Shtetet e Bashkuara ka vënë në dukje përdorimin e raketave balistike të Koresë së Veriut nga Rusia, ndërsa zyrtarët e Koresë së Jugut thanë në fillim të këtij viti se Pheniani i ka dërguar Rusisë deri më tani të paktën 6,700 kontejnerë që mund të transportojnë më shumë se 3 milionë predha artilerie.

Zyrtari i NATO-s i cili foli për Zërin e Amerikës tha se mbështetja nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimin e Rusisë në fushën e betejës, duke i bërë të vjetruara vlerësimet e agjencive perëndomore të zbulimit se ushtrisë ruse "do t’i duhen vite për t’u rindërtuar".

“Kur shikoni vlerësimet e ritmit të rindërtimit të forcave të armatosura ruse dhe bazës industriale dhe teknologjike të mbrojtjes ruse, vlerësimet e agjencive të zbulimit u bënë pa marrë parasysh nivelin e ndërhyrjes nga Kina”, tha zyrtari.

Ka shqetësime se ky është vetëm fillimi. Perspektiva për rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit, “në thelb nënvizon urgjencën e kësaj sfide”, tha zyrtari.

Disa zyrtarë amerikanë e kanë quajtur aleancën në rritje një "bosht të ri të së keqes".

"Duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat", u tha ligjvënësve në mars ish-komandanti i forcave amerikane në Indo-Paqësor Admirali John Aquilino.

Disa analistë janë gjithashtu të alarmuar, duke parë shenja se marrëdhëniet ushtarake mes Rusisë dhe vendeve po tejkalojnë nivelin e përpjekjeve dypalëshe për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë.

"Ajo që ne po shohim tani është një intensifikim, një thellim i këtyre partneriteteve strategjike", tha Richard Goldberg, një këshilltar i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington.

"Pavarësisht se ata mund të mos jenë 100% në linjë gjatë gjithë kohës, çdo ditë, është e rëndësishme të theksohet se ata janë në një linjë lidhur me aftësitë strategjike që ata po ndërtojnë me këtë partneritet", tha për Zërin e Amerikës, zoti Goldberg, zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e ish-presidentit Donald Trump. "Në përgjigjen tonë, ne duhet t'i shikojmë ato si një bosht, jo si pjesë individuale."

Por nuk është e sigurt se sa shpejt ky bosht do të mund të transformohej në një rival të vërtetë të NATO-s.

"Ka ende pika të rëndësishme tensioni midis katër vendeve që pengojnë formimin e një aleance më të bashkuar", thotë Michelle Grisé, studiuese e politikave në Korporatën RAND.

“Brenda marrëdhënies Rusi-Iran, për shembull, pikat e fërkimit përfshijnë konkurrencën për tregjet e energjisë dhe ndikimin në Kaukaz, si dhe – të paktën historikisht – qasjet e ndryshme ndaj Izraelit”, tha studiuesja Grisé për Zërin e Amerikës.

“Boshti Rusi-Kinë-Kore e Veriut-Iran përbën një kërcënim serioz për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, por nuk mendoj se ky bosht i vendeve autoritare është një rival i pakapërcyeshëm”, tha ajo. “Për të krijuar një aleancë më të bashkuar, ata do të duhet të koordinojnë më mirë kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi, duke krijuar një vizion koherent dhe të përbashkët për të ardhmen. Unë mendoj se ata do të përpiqen ta bëjnë këtë."

Megjithatë, aleatët e NATO-s nuk janë të gatshëm të rrijnë duarkryq përballë përpjekjeve të tilla nga boshti në zhvillim Rusi-Kinë-Kore e Veriut-Iran.

Në një fjalim më 9 korrik në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes gjatë takimit të NATO-s në Uashington, Zëvendës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes Kathleen Hicks vuri në dukje "zgjerimin e shpejtë industrial të mbrojtjes nga konkurrentët tanë strategjikë", ndërsa u kërkoi aleatëve të NATO-s të zgjerojnë bashkëpunimin në prokurimin dhe prodhimin e armëve.

Si shembull, zonja Hicks përmendi një përpjekje të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Spanjës dhe vendeve të tjera për të prodhuar interceptorë për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Evropë, ndërsa lavdëroi një përpjekje amerikano-turke për prodhimin e predhave 155 milimetërshe të artilerisë në Teksas.
"Askush nga ne nuk duhet të mendojë se kjo është e mjaftueshme", tha ajo. “Zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes transatlantike nuk është thjeshtë një plan i mirë pune, por një nevojë dhe domosdoshmëri për aleancën e NATO-s.”

Edhe nëse përpjekjet e NATO-s për të rritur prodhimin e armëve nuk janë të mjaftueshme, disa zyrtarë i shohin ato si një arsye për të besuar se Perëndimi mund të ruajë avantazhin.

"Unë mendoj se hapat dhe përparimi që po bëjmë po japin vërtet rezultate", i tha Zërit të Amerikës zyrtari i NATO-s, duke shtuar se ata "nuk do të jenë tepër pesimistë".

"Për në çështjet si prodhimi i municioneve, kemi filluar të shohim se rritja në fakt po sjellë rezultate", tha zyrtari. “Dhe unë mendoj vitin e ardhshëm, ne do të kemi shifra shumë më të mira.”

XS
SM
MD
LG