Lidhje

Tiranë, protesta e opozitës, molotovë kundër selisë së qeverisë


Tiranë, bomba molotovë drejt godinës së qeverisë, gjatë protestës së opozitës
Tiranë, bomba molotovë drejt godinës së qeverisë, gjatë protestës së opozitës

Disa breshëri bombash molotov drejt selisë së Këshillit të Ministrave, kërkesa këmbëngulëse për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin drejt zgjedhjeve, dhe tensionet më pas përpara godinës së Bashkisë së Tiranës, shënuan protestën e organizuar nga opozita mbrëmjen e së enjtes.

Kryetari demokrat Sali Berisha ju drejtua i fundit, disa mijëra protestuesve që ishin mbledhur në bulevardin kryesor. Ai foli përmes një lidhjeje video nga shtëpia ku ai gjendet në arrest, që prej dhjetorit të kaluar, pasi kundërshtoi masën e “detyrimit për paraqitje” të urdhëruar nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimit për privatizimin e ish klubit Partizani në kryeqytet, gjatë kohës kur ai drejtonte vendin si kryeministër.

Sapo zoti Berisha nisi të fliste, nga ekranet e mëdha të vendosura në podiumin e ngritur në boulevard, drejt godinës së qeverisë nisi hedhja e molotovëve. Zhurma e shpërthimeve të tyre, së bashku me flakën dhe tymin, u bënë për disa momente sfondi i fjalës së kreut të opozitës.

Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty”, u shpreh zoti Berisha duke ju drejtuar kryeministrit Rama, duke saktësuar se ky ishte një paralajmërim për të. “Mos e drejto Shqipërinë drejt greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë”, përsëriti ai.

Sipas tij rotacioni politik është i nevojshëm në Shqipëri “shteti i vetëm në Europë që ka humbur 40% të popullsisë, shteti i vetëm në Europë me 47% fëmijë të kequshqyer, shteti i vetëm në Europë me liderin e opozitës të arrestuar”.

Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, përjetoi në tre vitet e fundit një luftë të ashpër të brendshme, e cila u nxit nga vendimi i ish kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar, pas shpalljes së tij, dhe familjes së tij “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit. Ish kryeministri, megjithatë, arriti të rimarrë kontrollin e Partisë e së fundmi, edhe njohjen zyrtare si drejtuesi i saj, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit.

Në fjalën e tij zoti Berisha i mëshoi sërish bashkimit. “Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore. Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë. Ajo është Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë. Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëj të pandalshëm”, u shpreh ai.

Mbyllja e fjalës së zotit Berisha shënoi dhe fundin e protestës përpara godinës së qeverisë, dhe spostimin e saj drejt Bashkisë së Tiranës, ku opozita mblidhet çdo javë prej më shumë se tre muajsh, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, që kur disa drejtorë të rëndësishëm të tij u arrestuan nën dyshimet për korrupsion. Molotovët nuk munguan as drejt ndërtesës së Bashkisë, ndërkohë që momente tensioni u shënuan kur grupe protestuesish u përpoqën të çanin kordonin e dendur të policisë, rreth e qark godinës. Tensione që nuk zgjatën shumë dhe u shuan me largimin e protestuesve.

XS
SM
MD
LG