Lidhje

Joe Biden mes përkrahjes dhe thirrjeve për t’u tërhequr


Ligjvënësit amerikanë u rikthyen këtë javë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë që nga paraqitja zhgënjyese e Presidentit Joe Biden në debatin presidencial ndaj Donald Trumpit, i cili pritet të marrë këtë muaj emërimin si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane.

Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton rreth thirrjeve nga ligjvënës në Kongres për tërheqje të zotit Biden nga gara presidenciale.

Joe Biden mes përkrahjes dhe thirrjeve për t’u tërhequr
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara po përballet me pikëpyetje në radhët e partisë së tij, në një javë që ligjvënësit kthehen në Uashington dhe në mesin e shqetësimeve se paraqitja e dobët e zotit Biden në debat mund të shuajë mundësitë që ai të mposhtë Donald Trumpin në zgjedhjet e nëntorit.

“Duhet të tërhiqet sepse nuk fiton dot”, tha ligjvënësi demokrat Mike Quigley duke iu referuar zotit Biden.

Ligjvënësi Mike Quigley është pjesë e një numri të vogël të zgjedhurish demokratë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësueve që kanë shprehur publikisht shqetësimet se zoti Biden nuk ka mundur të bindë se gëzon shëndet të mirë për të shërbyer edhe për 4 vjet të tjera si president. Por shumica e përfaqësuesve demokratë janë zotuar se do të vazhdojnë të përkrahin Presidentin.

“Presidenti Biden është i emëruari dhe ne mbështesim të emëruarin e partisë Demokrate që do të mposhtë Donald Trumpin. Ky është fakt”, u shpreh ligjvënësi demokrat Pete Aguilar.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se paraqitja e dobët e zotit Biden në përballjen e 27 qershorit ishte një dobësi e momentit.

“Ai pati një natë të keqe. Kemi diskutuar për këtë dhe ai i kupton shqetësimet e njerëzve. Ne kemi qenë në terren, siç kemi bërë tërë këto muaj, ju e shihni angazhimin e tij, çdo ditë në terren”, tha Karine Jean-Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Por analisti Casey Burgat thotë se zoti Biden nuk duhet të bindë vetëm ligjvënësit, por edhe votuesit.

“Ai duhet të dëgjojë shqetësimet e tyre. Duhet të tregohet i ndershëm se cilat janë përgjegjësitë e tij dhe çfarë ka në plan të bëjë në këtë drejtim. Por ai ka gjithashtu një problem me strategjinë e komunikimit publik, për të bindur votuesit. Sigurisht që ka rëndësi që shumë demokratë dhe ligjvënës demokratë janë të zemëruar me kandidatin e tyre, por ka shumë më tepër rëndësi nëse votuesit nuk e konsiderojnë atë si një kandidat që ka vërtet shanse të fitojë”, shprehet Casey Burgat nga Universiteti “George Washington”.

Përfaqësuesit më te lartë të Republikanëve në Dhomës e Përfaqësuesve thanë të martën se zyrtarët e administratës duhet të marrin në konsideratë përdorimin e një amendamenti kushtetues që i lejon zëvendëspresidentit të largojë nga detyra një president që nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën.

“Nuk ka më asnjë dyshim se Joe Bideni nuk mund të jetë komandanti i përgjithshëm i forcave tona të armatosura. Shtëpia e Bardhë, demokratët e së majtës së skajshme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mediat kryesore janë në kaos të plotë sepse e dinë se kjo është e vërtetë”, u shpreh Elise Stefanik, ligjvënëse republikane.

Por në një kohë që mbështetja e drejtuesit të shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer për Joe Bidenin vazhdon të jetë e palëkundur, ende nuk ka gjasa që të ndodhë skenari i zëvendësimit të Presidentit me Nënpresidenten Kamala Harris, si kandidate zyrtare e demokratëve në zgjedhje.

Demokratët do të emërojnë zyrtarisht kandidatin e tyre gjatë Kuvendit që pritet të mbahet në mes të gushtit.

XS
SM
MD
LG