Ish presidenti socialist i Francës, Francois Hollande dhe të tjerë ligjvënës të sapozgjedhur të koalicionit të majtë bënë një hyrje të bujshme në Asamblenë Kombëtare të martën, për bisedime që synojnë krijimin e një qeverie të re, pas rezultatit kaotik të zgjedhjve parlamentare, ku aleanca e majtë fitoi numrin më të lartë të vendeve në parlament, por jo shumicën e mjaftueshme për të qeverisur e vetme.
Presidenti Emmanuel Macron i kërkoi të hënën kryeministrit Gabriel Attal, të vazhdojë të ndjekë çështjet e përditshme, më pak se tre javë para fillimit të Lojërave Olimpike të Parisit. Të mërkurën Presidenti Macron merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington.
Sipas rezultateve të së dielës, asnjë prej grupeve politike nuk mundi t’i afrohej shumicës së nevojshme për krijimin e qeverisë, duke rrezikuar një paralizë të ekonomisë së dytë më të madhe të Bashkimit Europian.
Parlamenti tani është ndarë në tri grupe, të majtën, që doli e para, grupin e qendrës të Presidentit Macron dhe të djathtën e skajshme të partisë Bashkimi Kombëtar.
Në shtete të Evropës, parlamentet e fragmentuar nuk janë të pazakontë, por kjo është një situatë e pashembullt në historinë moderne të Francës
Udhëheqësit e koalicionit të majtë, Fronti i Ri Popullor, që siguroi numrin më të madh të votave, thonë se u takon atyre të formojnë qeverinë e re. Tre partitë kryesore të këtij koalicioni, e majta e skajshme, socialistët dhe të Gjelbrit, nisën negociatat për të gjetur kandidatin për kryeministër.
Zoti Hollande, president i Francës nga 2012-2017, iu bashkua anëtarëve të tjerë të partisë së tij Socialiste, përpara dhjetra gazetarëve. Ai nuk foli kur mbërriti në Asamblenë Kombëtare.
Ai u largua nga pushteti në 2017, pa kandiduar për t'u rizgjedhur ndërsa mbështetja e tij kishte shënuar rënie të thellë, duke i hapur rrugën Emmanuel Macronit, ish-ministrit të tij të ekonomisë.
Ai bëri një rikthim të papritur në skenën politike franceze javët e fundit si një nga kandidatët më të spikatur në zgjedhje, duke fituar në qytetin e tij të lindjes, Tulle, në Francën jugperëndimore.
Ai po shihet tani si një lojtar kyç në politikë, në një kohë që koalicioni i majtë dhe grupi i qendrës së presidentit Macron po ndërmarrin hapa në përpjekje për të formuar qeverinë e re.
Fronti i Ri Popullor “është forca udhëheqëse në vend dhe ka përgjegjësinë për të formuar qeverinë”, tha ligjvënësja e të Gjelbërve Cyrielle Chatelain.
Deputetja e së majtës së skajshme, Mathilde Panot tha se “ligjvënësit e partisë Franca e Papërkulur” shkojnë në Asamble Kombëtare jo si një forcë opozitare, por si një forcë që ka për qëllim të qeverisë vendin”.
Bisedimet e tyre janë të ndërlikuara për shkak të përçarjeve të brendshme. Disa po nxisin idenë për të propozuar një figurë të së majtës së skajshme, ndërsa të tjerë, parapëlqejnë një personalitet më konsensual. Kryeministri i Francës jep llogari para parlamentit dhe mund të shkarkohet përmes një mocioni mosbesimi.
Kryenegociatorja e Partisë Socialiste, Johanna Rolland, tha se kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë Jean-Luc Mélenchon, themeluesi i së majtës së skajshme përçarëse, “Franca e Papërkulur”.
Duke folur të martën në televizionin France 2, ajo sugjeroi se koalicioni i majtë mund të bashkëpunojë me grupin e qendrës të Macronit.
Zoti Melenchon, i cili nuk kandidoi në zgjedhjet parlamentare u bë gjithashtu pjesë e bisedimeve në Asamblenë Kombëtare të martën pasdite.
Yael Braun-Pivet, anëtare e grupit të qendrës së zotit Macron dhe ish-presidente e Asamblesë Kombëtare, tha se "populli francez dërgoi një mesazh të qartë. Ata nuk donin t'i jepnin një shumicë absolute asnjë blloku të caktuar politik, kështu që po na urdhërojnë të dëgjojmë njëri-tjetrin, të punojmë së bashku dhe këtë duhet të bëjmë".
Sipas të dhënave zyrtare të zgjedhjeve, 3 grupet kryesore ishin larg arritjes së 289 vendeve të nevojshme për të siguruar shumicën në Asamblenë Kombëtare prej 577 vendesh.
Koalicioni i majtë Fronti i Ri Popullor mori më shumë se 180 vende, duke u renditur i pari dhe duke lënë pas grupin e qendrës së Presidentit Macron, me më shumë se 160 vende.
Partia e së djathtës ekstreme e zonjës Marine le Pen, Bashkimi Kombëtar, u rendit e treta, me 140 vende, rezultati më i lartë i kësaj force, nga 89 vende që fitoi në vitin 2022.
Presidentit Macron i kanë mbetur edhe tre vjet në mandatin e tij presidencial.