Lidhje

Takimi i NATO-s në Uashington, mes simbolizmit dhe sfidave jetike globale


Në Uashington po mbahet takimi treditor i nivelit të lartë të NATO-s që shënon 75 vjetorin e e themelimit të aleancës ushtarake. Presidenti Joe Biden mirëpret udhëheqësit e vendeve të aleancës në një kohë kërcënimesh ekzistenciale në botë dhe në një vit presidencial ku ai përballet me ish-presidentin Donald Trump, i cili e ka kritikuar ashpër NATO-n.

Takimi i lartë i NATO-s në Uashington
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:21 0:00

Ashtu si 75 vjet më parë kur u nënshkrua traktati i Atlantikut të Veriut për të garantuar mbrojtjen kolektive të 12 vendeve themeluese pikërisht këtu në Uashington, ky përvjetor vjen në një botë të trazuar. 32 aleatët pritet të marrin vendime kyçe për mbrojtjen e 1 miliaradë qyetetarëve të tyre në mjedisin më të rrezikshëm të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë. Ata pritet të shprehin mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit të Rusisë, të diskutojnë për sfidat e tjera globale si kriza në Lindjen e Mesme dhe një Kinë gjithnjë e më agresive, si edhe të propozojnë masa për forcimin e sigurisë në vendet anëtare. Duke pasur parasysh gjithë këta faktorë, takimi i kësaj jave ka rëndësi si për simbolizmin, ashtu edhe për sfidat me të cilat përballet.

“Për 75 vjet, NATO e ka mbajtur Amerikën dhe botën më të sigurt. NATO-ja është aleanca më e fortë mbrojtëse në histori dhe ka qenë jetike për sigurinë euroatlantike, duke frenuar kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë”, thotë ambasador Michael Carpenter, këshilltar i Posaçëm i Presidentit Joe Biden dhe Drejtor për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Por ky takim mbahet ndërsa Evropa është tronditur nga agresioni rus në Ukrainë.

“Ne takohemi gjithashtu këtë javë në një moment kritik dy vjet e gjysmë pasi Rusia filloi luftën në Ukrainë, i cili ka shkatërruar paqen në Evropë dhe ka tronditur në thelb rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke paraqitur kërcënimin më të madh për sigurinë transatlantike prej dekadash”, tha ambasadori Carpenter.

Në takimin e kësaj jave, vendet aleate do të shpallin masa të reja për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Aleatët pritet të bien dakord për një ndihmë të re sigurie sigurie për Kievin, që do të përfshijë 40 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm. NATO do të emërojë gjithashtu një zyrtar civil si përfaqësuesin e lartë të NATO-s në Kiev.

Aleanca synon gjithashtu t’i dërgojë një sinjal presidentit rus Vladimir Putin, se vendosmëria e saj në mbështetjen e Ukrainës, nuk do të lëkundet. Takimi mbahet gjithashtun në një kohë kur Kina po bëhet gjithnjë e më agresive.

“Ne gjithashtu do t'i dërgojmë një mesazh të rëndësishëm pjesës tjetër të botës, përfshirë partneritetet tona në Indo-Paqësor, se ne qëndrojmë më të fortë së bashku, të bashkuar dhe në mbështetje të vlerave demokratike”, tha zoti Carpenter.

Në një vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, presidenti Joe Biden do të përpiqet gjithashtu të nxjerrë në pah dallimin e tij nga ish-presidenti Donald Trump, qëndrimet e të cilit ndaj NATO-s kanë shkaktuar shqetësim tek aleatët.

“Sot, Aleanca jonë është më e madhe, më e fortë, me burime më të mëdha dhe më e bashkuar se kurrë më parë, dhe kjo është kryesisht falë përpjekjeve të Presidentit Biden gjatë këtyre tre viteve të fundit për të investuar në forcimin e Aleancës, si dhe partneritetet tona në mbarë botën”, tha zoti Carpenter.

Suedia merr pjesë për herë të parë në një takim të tillë që kur u bë anëtarja më e re e aleancës në mars të këtij viti.

Dhe takimi mbahet gjithashtu në një reliev të ri politik, me zhvillimet në vendet evropiane, si zgjedhjet në Francë dhe ato në Britani që sollën në pushtet qeverinë e re.

Sot në mbrëmje, Presidenti Biden pret udhëheqësit e e NATO-s për të shënuar 75-vjetorin e aleancës në Auditorin Mellon, ku nënshkrua traktati i NATO-s në Uashington në vitin 1949. Të mërkurën, Presidenti zhvillon takimin e tij të parë dypalësh me Kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer dhe drejton një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut. Ai dhe Zonja e Parë, Jill Biden do të mbajnë gjithashtu një darkë në Shtëpinë e Bardhë për aleatët. Përveç bisedimeve të aleatëve, do të mbahet një takim i Këshillit NATO-Ukrainë, takime me drejtuesit e BE-së dhe partnerët e Indo-Paqësorit, Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re. Mes aktiviteteve të tjera, në bashkëpunim me organizata të sigurisë në Uashington do të mbahen gjatë këtyre ditëve një sërë diskutimesh për tema të ndryshme në kuadër të Forumit Publik të NATO-s.

XS
SM
MD
LG