Lidhje

O’Brien: Veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjesë të Bosnjës – rreziqet kryesore për sigurinë në rajon


Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O'Brien i tha të hënën agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Por, theksoi ai, forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe misioni i EUFOR-it në Bosnjë janë të gatshme “të pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë”.

“Jam i inkurajuar gjithashtu që ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet serbe, me autoritetet e Kosovës, në përpjekje për të trajtuar rreziqet e dhunës dhe të rritjes së përplasjeve në veri të Kosovës. Mendoj se me këtë kemi një shans për procesin politik, që është dialogu (i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian), plani (evropian) i rritjes ekonomike dhe gjërat e tjera për të trajtuar shkaqet e dhunës", tha zoti O'Brien, sipas agjencisë së lajmeve Tanjug.

I pyetur pse SHBA-ja mbështeti një tranzicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe pse Prishtinës iu lejua të blejë dronë, kur “sipas Rezolutës 1244, KFOR ishte e vetmja forcë e armatosur e lejuar në Kosovë”, zoti O'Brien tha se rezoluta vendosi “një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës".

"Ai proces çoi në pavarësinë e Kosovës. Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj”, tha zoti O’Brien, duke nënvizuar se ajo “po e bën këtë në një proces transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj, por pa kërcënuar fqinjët e saj. Mendoj se në përgjithësi është një lëvizje drejt qëndrueshmërisë në rajon ne do të vazhdojmë ta mbështesim”.

Diplomati amerikan ritheksoi mbështetjen ndaj bisedimeve Kosovë – Serbi dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

"Janë rreth 400 asociacioni të komunave në të gjithë Evropën dhe ne mendojmë se ky do të ishte një i tillë," tha ai, duke nënvizuar se bisedimet janë rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane.

Të hënën zoti O’Brien diskutoi në Uashington për këto çështje edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë dhe rëndësinë e rolit të Shteteve të Bashkuara për suksesin e këtij procesi”, shkroi presidentja Osmani në rrjetet sociale.

Ndonëse formalisht synon integrimet evropiane, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën e cila mbështet pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.

Beogradi, ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore, nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Zoti O’Brien tha se mbështetja për Ukrainën është me rëndësi jetike.

“Ukraina lufton për parimin themelor të tërësisë tokësore. Unë e di që presidenti (serb Aleksandar) Vuçiç flet në lidhje me këtë parim, ne nuk pajtohemi për disa nga aplikimet e tij, por në këtë kontekst, e mirëpresim atë që Serbia po bën duke vënë në dispozicion armët e saj për të ndihmuar Ukrainën të luftojë për një parim bazë të së drejtës ndërkombëtare”, tha zoti O’Brien.

XS
SM
MD
LG