Lidhje

Starmer: Britania mund të përmirësojë marrëdhëniet tregëtare me BE-në


Kryeministri britanik, Keir Starmer
Kryeministri britanik, Keir Starmer

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, u zotua të hënën se do të sigurojë një marrëveshje të përmirësuar me Bashkimin Evropian për rregullat e tregtisë pas daljes nga blloku evropian. Ai tha se do të rinovojë "marrëveshjen e gabuar" të nënshkruar nga ish-kryeministri Boris Johnson.

Zoti Starmer e bëri këtë deklaratë gjatë vizitës në Belfast, pas bisedimeve me udhëheqësit e Irlandës së Veriut, ku rregullat tregtare pas Brexit-it kanë mbizotëruar politikën për vite me radhë. Kryeministri Starmer tha se qeveria e tij fillimisht do të duhet të zbatojë ndryshimet sipas marrëveshjes aktuale për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

"Ne mund të sigurojmë një marrëveshje më të mirë se marrëveshja e dështuar që ish Kryeministri Boris Johnson e nënshkroi dhe ne do të punojmë për këtë", tha për shtypin Kryeministri Starmer, i cili siguroi fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën javën e kaluar.

"Ne, megjithatë, nuk do të jemi në gjendje të kemi një marrëdhënie më të mirë nëse nuk demonstrojmë përkushtim ndaj marrëdhënieve dhe marrëveshjeve që tashmë janë arritur", shtoi ai.

Laburistët e kanë përjashtuar mundësinë e ribashkimit me tregun e përbashkët të BE-së ose bashkimin doganor, por kanë thënë se është e mundur të hiqen disa pengesa tregtare me bllokun 27-vendesh, nga i cili Britania u largua në vitin 2020.

Partia më e madhe pro-britanike në Irlandën e Veriut i dha fund bojkotit të asamblesë pas ndryshimeve në rregullat e tregëtisë të siguruara nga ish-kryeministri Rishi Sunak në muajin shkurt. Kjo parti, megjithatë, që atëherë ka bërë thirrje për më shumë ndryshime.

I pyetur për mundësinë e mbajtjes së një referendumi për bashkimin e Irlandës pasi partia nacionaliste irlandeze 'Sinn Fein' u bë partia më e madhe e Irlandës së Veriut në parlamentin britanik, Kryeministri Starmer tha se ai do të "vepronte në përputhje me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë", marrëveshjen e paqes të vitit 1998 që i dha fund tre dekadave të dhunës sektare.

Sipas marrëveshjes, vendimi për mbajtjen e një referendumi i takon qeverisë britanike nëse ministrit për Irlandën e Veriut "i duket e mundshme" se shumica do të favorizonte ndërprerjen e lidhjeve me Londrën.

Kryeministri Starmer, i cili vizitoi Edinburgun të dielën, do të vazhdojë një turne paszgjedhor në katër vendet e Mbretërisë së Bashkuar me një vizitë në Cardiff të hënën në mbrëmje.

XS
SM
MD
LG