Autoritetet në Kosovë thanë sot se armët e paligjshme mbetën sfidë për sigurinë dhe janë shkaktarët kryesorë të shumicës së vrasjeve që ndodhin në Kosovë.
Këto komente u bënë në fillim të hapjes së fushtaës së ndërgjegjësimit për përdorimin e armëve në kremtimet e ndryshme në Kosovë posaçërisht gjatë stinës së verës kur rritet përdorimi i tyre.
“Edhe pse zotërimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta është në rënie çdo vit kjo dukuri ende mbetët kërcënim për rendin dhe sigurinë publike në Kosovë, por edhe shqetësim për institucionet e sigurisë”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme Blerim Gashani.
Institucionet dhe organizatat vendase e ndërkombëtarë në Kosovë thonë se numri i armëve në duart e qytetarëve të vendit është shumë i lartë. Tash e disa vjet me radhë thuhet se numri i tyre arrin në rreth 260 mijë dhe paraqet kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë në Kosovë.
Zëvendësministri Gashani që njëherësh është edhe bashkërendues kombëtar për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe mjeteve shpërthyese tha se çdo vit policia e Kosovës konfiskon mijëra armë e municione.
“Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon përafërsisht 1500 armë ilegale të llojeve të ndryshme për çdo vit. Konfiskimi i armëve të vogla dhe të lehta po vazhdon por edhe municionet e kalibrave të ndryshëm”, tha ai.
Arbnesh Ajvazi nga policia e Kosovës tha se sfidë mbetët parandalimi i përdorimit të armëve gjatë festave.
“Kultura dhe traditat tona shpeshherë kanë përdorimin e armëve si pjesë e festimeve, por kjo është koha që të ndryshojmë këtë mentalitet. Sfida jonë kryesorë është të edukojmë dhe ndërgjegjësojmë”, tha ai.
Annemarie Douwes nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta mund të ketë pasoja katastrofike.
“Derisa policia e Kosovës ka punuar pa u lodhur për t'i luftuar këto sfida, ne nuk mund të mbështetemi vetëm në zbatimin e ligjit. Prandaj është thelbësore që të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për këtë dukuri negative të të shtënave në festa dhe të mësohet duke përfshirë edhe fëmijët për rreziqet e përdorimit dhe mbajtjes së pasigurt të armëve të zjarri”, tha ajo.
Në një raport të publikuar në prill të këtij viti lidhur me “Politikat ndëshkimore në rastet e posedimit të paligjshëm të armëve” nga misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunimin në Evropë, theksohen “mangësitë për sa i përket qëndrueshmërisë dhe arsyetimit të vendimeve ndëshkimore për posedim të paligjshëm të armëve të cilat mund të mos jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe kuadrin ligjor", nga gjykatat në Kosovë.
Sipas raportit, misioni i OSBE-së në Kosovë që ka vëzhguar 33 raste në lidhje me akuzat për “Pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet se OSBE-ja ka vërejtur mospërputhje në dënimet e shqiptuara, gjë që ngre shqetësime se personat trajtohen ndryshe sipas ligjit në situata të ngjashme faktike ose, në të kundërtën, nuk merren parasysh rrethanat specifike në raste të ndryshme.
Statistikat e përgjithshme flasin se numri më i madh i armëve kanë mbetur kryesisht nga periudha e luftës së viteve 1998-1999.