Lidhje

Veprimet ruse në Gjeorgji ishin paralajmërim për agresionin në Ukrainë


Aktivistët në Gjeorgji po punojnë të nxjerrin në pah mizoritë e kryera nga trupat ruse dhe grupet militante gjatë fillimit të viteve 1990. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell aktivistët thonë thonë se veprimet e forcave ruse në Gjeorgji duhet të ishin një paralajmërim për rreziqet e paraqitura nga Rusia, shumë kohë përpara fillimit të agresionit në Ukrainë në vitin 2022

Veprimet ruse në Gjeorgji ishin paralajmërim për agresionin në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Ndërsa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej, në fillim të viteve 1990, Gjeorgjia shpalli pavarësinë.

Në atë kohë kishte tensione me pakicat etnike në rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, në kufi me Rusinë. Shumë gjeorgjianë thonë se Moska i shfrytëzoi këto tensione për të nxitur konfliktin.

Tamar Chergoleishvili, themeluesja e fushatës "Para Buchës ndodhi Abkhazia", fajëson Rusinë për luftën.

“Në Gjeorgji shpërthyen luftëra që u cilësuan si konflikte etnike dhe luftë civile. E vërteta është se Rusia ishte ajo që organizonte të gjitha trazirat, dhe gjakderdhjet për të copëtuar Gjeorgjinë dhe për të mos lejuar që të bëhej një shtet vërtet i pavarur dhe të bëhej anëtar i botës demokratike perëndimore”, thotë për Zërin e Amerikës, Tamar Chergoleishvili.

Rusia e hedh poshtë këtë akuzë dhe këmbëngul se trupat u dërguan si paqeruajtës.

Në konfliktin midis separatistëve dhe gjeorgjianëve nga viti 1989 deri në vitin 1994, nga 10,000 deri në 30,000 njerëz u vranë. Shifrat e sakta megjithatë nuk dihen. Mbi 200 mijë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Të mbijetuarit e konfliktit thonë se mizori të shumta janë kryer nga separatistët e armatosur lokalë, grupe të tjera dhe aleatët e tyre rusë. Taliko Zarandia kujton vrasjen e djalit të fqinjit të saj.

“Militantët erdhën dhe na sulmuan si ujqër. Ata nxituan drejt djalit dhe e pyetën sa vjeç ishte. Ai u përgjigj se ishte pesëmbëdhjetë vjeç. 'Ti meriton 15 plumba', u përgjigjën ata. Më pas e qëlluan pesëmbëdhjetë herë në kokë”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Zarandia.

Rusia mohon kryerjen e mizorive. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë e përshkruan atë që ndodhi në Abkhazi si spastrim etnik.

Dëshmitë rrëqethëse të të mbijetuarve të kujtojnë rrëfimet nga ukrainasit pas fillimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Në qytetet ukrainase Bucha dhe Irpin, të mbijetuarit thonë se ndodhën vrasje, përdhunime dhe tortura të ngjashme. Këto akuza gjithashtu hidhen poshtë nga Rusia, pavarësisht nga provat dhe gjetja e varrezave masive.

Zonja Chergoleishvili thotë se gazetarët ukrainas e kontaktuan atë për atë që kishte ndodhur në Gjeorgji.

“Të gjithë e dinim se diçka e tmerrshme kishte ndodhur në Abkhazi, por materialet mbetën në sirtar, të mbuluar nga pluhuri. Askush nuk donte ta përjetonte sërish. Ukrainasit më detyruan ta përjetoja sërish para se t'ua jepja atyre materialin e mbledhur. Kjo më bëri të ndjeja turp”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Chergoleishvili nga fushata “Para Buchës ndodhi Abkhazia".

Fushata po zhvillon aktivitete në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë duke shfaqur një dokumentar dhe duke bërë prezantime të cilat ofrojnë detaje të tmerreve që ndodhën në Gjeorgji.

“Duhet të rikujtojmë viktimat e harruara nga Gjeorgjia, që përjetuan të njejtat vuajtje që Ukraina po kalon tani si pasojë e agresionit të Rusisë. Perëndimi duhet ta ketë të qartë se nëse nuk e ndalon Rusinë në Ukrainë tani, do të duhet të shpenzojnë 100 herë më shumë në 30 vitet e ardhshme”, thotë zonja Chergoleishvili.

Rusia e sulmoi përsëri Gjeorgjinë në vitin 2008. Rusia mban ende nën kontroll 20 për qind të territorit gjeorgjian, duke përfshirë Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut.

Shumë gjeorgjianë thonë se fati i tyre duhet të kishte qënë një paralajmërim të mjaftueshëm për rreziqet e paraqitura nga Rusia, shumë kohë përpara agresionit të saj në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG