Lidhje

Ish ministri Ilir Beqaj mbahet në arrest me burg nga Gjykata e Posaçme pas akuzave për korrupsion


Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK)
Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK)

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mbahet nën masën e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai dhe disa persona të tjerë ishin sot në një seancë mbi gjashtë orë para Gjykatës për masat e arrestit pas akuzave për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera.

Zoti Beqaj dhe dy persona të tjerë u arrestuan dy ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC).

Veç këtyre tre arresteve me burg për Ilir Beqajn, Alfred Nikollën dhe Ermal Kurtullën, SPAK-u kërkoi arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje për katër të dyshuar të tjerë.

Nga seanca gjyqësore e masave të sigurisë bëhet e ditur se zoti Beqaj i ka mohuar të gjithë akuzat, dhe ka kërkuar të lirohet me një masë më të lehtë sigurie, me një garanci pasurore 50 mijë euro.

Por propozimi i tij nuk është pranuar dhe masa e arrestit me burg e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme u miratua nga Gjykata.

Masa është lehtësuar vetëm për Alfred Nikollën nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Prokuroria e Posaçme dyshon se zoti Beqaj ka abuzuar me fondet europiane si drejtor i Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, duke kryer prokurime fiktive në bashkëpunim me koordinatorin Ermal Kurtullaj, si dhe ka fshehur pasurinë me deklarata të rreme.

Zoti Beqaj dha dorëheqje si kreu i Agjencisë sapo iu ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe iu kërkua të paraqitej rregullisht pranë SPAK-ut lidhur me hetimet mbi koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në këtë çështje ai akuzohet për shpërdorim detyre si ish ministër i Shëndetësisë, ndërsa janë arrestuar ish zëvendës ministri Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj.

XS
SM
MD
LG