Në ditët e fundit të fushatës, para raundit të dytë të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë, partia e djathtë e skajshme Bashkimi Kombëtar duket se nuk do të fitojë shumicën dërmuese të votave, sipas anketave të fundit të publikuara sot, ndonëse disa politikanë dhe analistë po bëjnë thirrje për të mos nxituar me parashikimet. Në prag të votimit të së dielës, tensionet në Francë janë ngritur dhe zyrtarët po paralajmërojnë edhe për mundësinë e incidenteve të dhunshme.
Një anketë e agjencisë “OpinionWay”, e realizuar për gazetën e përditshme të biznesit Les Echos e nxjerr Bashkimin Kombëtar fitues me 205-230 vendeve në parlament. Partia Fronti i Ri Popullor e krahut të majtë u radhit e dyta me 145-175 vende dhe blloku i partive të qendrës i Presidentit Emmanuel Macron i treti me 130-162 vende. Gjetjet e kësaj ankete ishin të përafërta me anketat e publikuara një ditë më herët.
Për të siguruar shumicën absolute, një partie i duhet të fitojë 289 vende në parlament.
Ligjvënësi evropian Raphael Glucksmann, njëri nga drejtuesit politik të Frontit të Ri Popullor të majtë, i tha radios RTL se askush nuk mund ta marr si të mirëqenë faktin që Bashkimi Kombëtar nuk do ta fitojë shumicën absolute të vendeve në parlament.
“Më duket sikur analistët dhe politikanët po flasin a thua se Bashkimi Kombëtar nuk e ka fituar shumicën dhe po përgëzojnë veten se përpjekjet e tyre arritën ta bllokojnë atë,” thotë ai.
I pyetur nga gazetari se nëse është i shqetësuar për mos daljen e votuesve në zgjedhje, zoti Glucksmann u përgjigj:
“(Mesazhi) i tillë do të demobilizojë votuesit. Për shembull, është vështirë për një votues të qendrës së djathtë të votojë për një parti të majtë, apo për një votues të krahut të majtë të votojë për aleatin e Presidentit Macron, Gerald Darmanin. Është tejet e vështirë. Andaj, nëse nuk ka arsye për t’u shqetësuar, përse votuesit duhet t’u përgjigjen thirrjeve tona për të votuar kundër Bashkimit Kombëtar? Jam i shqetësuar dhe uroj që të gjithë të kthehen me këmbë në tokë. Ka një baticë në favor të Bashkimit Kombëtar,” tha ai.
Mbi 200 kandidatë nga i gjithë spektri politik u tërhoqën nga gara për t’u hapur rrugën kandidatëve që kanë shanse më të mira për të mundur kandidatët e Bashkimit Kombëtar në distriktet e tyre, një proces i njohur me emrin “fronti republikan.”
Por, përkundër këtyre masave, situata mbetet e paparashikueshme. Nuk është e qartë nëse votuesit do t’i përgjigjen përpjekjeve të partive që të bllokojnë Bashkimin Kombëtar.
Udhëheqësja e Bashkimit Kombëtar, Marine Le Pen i tha televizionit BFM se ende beson se partia e saj do të fitojë shumicën dërmuese të vendeve në parlament përkundër përpjekjeve të përbashkëta të skenës politike për ta kundërshtuar lëvizjen e saj.
“Kam përshtypjen që e tërë kjo përpjekje synon të zbehë motivimin e votuesve tonë. Fatmirësisht, unë i njoh ata dhe e di që janë shumë të motivuar, andaj i thërras të dalin në zgjedhje, të votojnë dhe të mobilizohen, përfshirë ata që më kanë votuar mua gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Na duhen të gjithë, na duhet një shtytje e fundit për ta nxjerrë Francën nga kjo situatë tragjike,” tha ajo.
Ajo tha se Franca nuk e meriton një gjendje të këtillë.
“Franca nuk mund të qëndrojë e bllokuar për një vit, gjatë të cilit emigracioni do të vazhdojë pandërprerë, pasiguria do të vazhdojë të përkeqësohet, bizneset do të vazhdojnë të jenë të falimentuara dhe francezët do të vazhdojnë të mos arrijnë ta mbushin makinën me karburant dhe frigoriferin me ushqime. Mund ta ndryshojmë këtë gjendje përmes vullnetit politik dhe vendimeve të mira politike,” deklaroi zonja Le Pen.
Zonja Le Pen gjithashtu tha se partitë e majta të skajshme po u bëjnë thirrje njerëzve që të sulmojnë parlamentin dhe të protestojnë kundër rezultatit të zgjedhjeve. Ajo tërhoqi paralele me sulmin e turmës së dhunshme ndaj Kapitolit në Uashington më 6 janar të vitin 2021, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të atëhershme presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një interviste për televizionin BFMTV të premten, Ministri i Brendshëm i Francës Gerald Darmanin tha se gjatë katër javëve të fundit, që kur Presidenti Macron shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, të paktën 51 kandidatë dhe përkrahës të tyre kanë pësuar lëndime fizike.
“Po, duhet të presim incidente të dhunshme të dielën. Janë planifikuar protesta para parlamentit”, thotë ai.
Ministri Darmanin tha se ka shtuar masat e sigurisë dhe ka kërkuar ndalimin e protestës së planifikuar nga partitë e së majtës ekstreme.