Në Kosovë flamujt në institucionet vendase dhe institucione ndërkombëtare janë ulur në gjysmështizë, ndërsa vendi është në ditë zie në shenjë nderimi të shkrimtarit Ismail Kadare, që u nda nga jeta dy ditë ma parë.
Në një akademi përkujtimore të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u tha se Ismail Kadare është shkrimtari i parë shqiptar që veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
“Ismail Kadare në botën shqiptare moti e ka statusin e shkrimtarit nacional duke u bërë lëndë e studiuar në të gjitha nivelet e shkollave deri në universitet. Në letërsinë shqipe, vepra tij ka kohë që ka ndjekësit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Në vitet e fundit statusi i letërsisë së tij ka nisur të ngritet në nivel të disa universiteteve të jashtme, pra të botës përtej shqiptare, duke u bërë materie e studimeve të brendshme me tendencë për të pasur ndjekësit e tij edhe në kulturat tjera. I ka edhe në kulturat tjera”, tha akademik Sabri Hamiti.
Akademik Rexhep Ismajli veçoi lidhjet e Ismail Kadaresë me Kosovën që sipas tij kanë filluar shumë vite më parë.
“Raporti i tij me Kosovën ka qenë kompleks gjithsesi me peshë të proceseve të pavarësimit të saj. Në vitet 70-ta dhe 80-ta përkrahja nga Kosova për letërsinë dhe botimi komplet i veprave të tij nga ‘Rilindja’ ka qenë me ndikim edhe për dimensionimin e personalitetit letrar të tij në Shqipëri”, tha akademik Rexhep Ismajli.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja tha se veprat e Kadaresë kanë qenë frymëzim për shumë gjenerata në Kosovë.
“Zëri i (Ismail) Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë në kancelaritë e ftohta diplomatike dhe që është po aq me rëndësi ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentë, nxënës pra për një masë të gjerë të njerëzve në Kosovë përfshirë edhe ata që në aktin final të kësaj historie u vënë në radhët e para për çlirimin e Kosovës. Në këtë pikë, Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehemet Kraja.
Akademikë e studiues të letërsisë thanë se përmes shkrimtarit Ismail Kadare, letërsia shqipe po e krijon hapësirën e identitetit të veçantë brenda kulturës evropiane.