Izraeli lëshoi një urdhër evakuimi për palestinezët në Khan Younis dhe zonat përreth, një urdhër që mund të sinjalizojë se Izraeli po planifikon të kryejë një tjetër ofensivë në qytetin në jug Gazës, njësoj si në fillim të këtij viti kur mijëra njerëz u detyruan të zhvendosen dhe një pjesë e madhe e Khan Younisit u shkatërrua.
“Është një tjetër dëshmi se nuk ka asnjë vend të se sigurt në Gazë, duhen bërë më shumë përpjekje për të mbrojtur civilët", tha Stephane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Ahmad Najjar një banor i cili jeton në zonën ku është kërkuar që të zbatohet urdhëri i evakuimit tha për agjencinë e lajmeve Agence France-Presse, se "njërëzit i ka përfshirë frika dhe ankthi pas urdhrit të evakuimit". Ai vërejti se ka pasur "një zhvendosje të madhe të banorëve".
Urdhri i evakuimit erdhi mes lajmeve se Izraeli liroi të hënën drejtorin e spitalit kryesor të Gazës, i cili ishte mes dhjetëra palestinezëve që u liruan dhe u kthyen në Gazë për trajtim mjekësor.
Mohammed Abu Selmia ishte arrestuar që nga nëntori. Ai drejtoi spitalin Shifa në Gazë, dhe u arrestua kur ushtria izraelite hyri në këtë spital në nëntor të vitit të kaluar, nën pretendimet se spitali po përdorej nga Hamasi për arsye ushtarake.
Zyrtarët e spitalit i mohuan akuzat dhe akuzuan Izraelin se po rrezikonte pacientët si dhe palestinezët e zhvendosur që kishin shkuar në spital për të kërkuar strehim.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë po vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Por të dyja palët po vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur në qëndrimet e tyre – Hamasi kërkon armëpushim dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, ndërsa Izraeli pranon vetëm pauza të shkurta luftimi deri në shkatërrimin e grupit militant.
Të shtunën, një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden tha se Shtetet e Bashkuara u kishin paraqitur ndërmjetësuesve të Egjiptit dhe Katarit një plan të ri në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar negocatat e bllokuara mes Izraelit dhe Hamasit.
Që nga fillimi i luftës më 7 tetor, të nxitur nga sulmi i militantëve të Hamasit ndaj Izraelit ku sipas të dhënave izraelite mbetën të vrarë 1,200 vetë ndërsa 250 të tjerë u morën peng, sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë kanë shkaktuar vdekjen e afro 38,000 palestinezëve, shifër kjo e ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve.
Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë The Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.