Lidhje

Anketat: E djathta ekstreme fituese e raundit të parë të zgjedhjeve në Francë


Sipas anketave, Bashkimi Kombëtar i zonjës Marine Le Pen është fitues i raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Francë, një zhvillim që mund ta zhys vendin në pasiguri politike.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme vetëm tre javë më parë, u bëri thirrje votuesve të mblidhen kundër të djathtës ekstreme në raundin e dytë të votimeve.

Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, u bëri thirrje votuesve që t'i japin Bashkimit Kombëtar një "shumicë absolute" në parlament gjë që do të mundësonte formimin e një qeverie të re me presidentin e partisë, Jordan Bardella si kryeministër, në mënyrë që të punonte për "rimëkëmbjen" e Francës.

Parashikimet nga agjencitë e anketimeve sugjerojnë se Bashkimi Kombëtar ka një shans të mirë për të fituar një shumicë në dhomën e ulët të parlamentit për herë të parë. Ai arriti gati dyfishin e 18 për qind të votave që kishte fituar në raundin e parë në vitin 2022.

Partia po mbështetet mbi suksesin e saj në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të fillimit të qershorit, që e shtynë presidentin Macron të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.

Raundi i dytë do të jetë vendimtar, por lë të hapura shumë pikëpyetje se si do të ndajë presidenti Macron pushtetin me një kryeministër, që është armiqësor me shumicën e politikave të tij.

Zgjedhjet me dy raunde që përfundojnë më 7 korrik, mund të ndikojnë në tregjet financiare evropiane, mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe menaxhimin e arsenalit bërthamor të Francës dhe forcës ushtarake globale.

Shumë votues francezë janë të pakënaqur nga inflacioni dhe situata ekonomike, duke fajësuar udhëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron, të cilin ata e shohin si arrogant dhe larg realitetit. Partia kundër imigracionit e zonjës Marine Le Pen “Bashkimi Kombëtar”, që tani ka një drejtues të ri, e ka shfrytëzuar këtë pakënaqësi duke apeluar tek elektorati francez përmes rrjeteve sociale, si TikTok, dhe ka dominuar në anketat parazgjedhore.

Janë 49.5 milionë votues të regjistruar që do të zgjedhin 577 anëtarët e Asamblesë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit me ndikim në Francë.

Pjesëmarrja ishte në një nivel jashtëzakonisht të lartë, 59 për qind tre orë para mbylljes së qendrave të votimit, një pjesëmarrje shumë me e lartë sesa ajo e raundit të parë të zgjedhjeve të vitit 2022.

XS
SM
MD
LG