Lidhje

Kë do të zgjedhë Trumpi për postin e nënpresidentit?


Kë do të zgjedhë kandidati republikan për president, Donald Trump, në dyshen për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa afron mbajtja e kuvendit republikan muajin që vjen, zoti Trump nuk ka lënë të kuptohet se kë do të zgjedhë për garuar për postin e nënpresidentit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, ka zëra për një larmi kandidatësh të mundshëm që do ta zgjeronin bazën e mbështetjes për zotin Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Kë do të zgjedhë Trumpi për postin e nënpresidentit?
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Kur bëhet fjalë për nënpresidentët, zonja Kamala Harris është zgjedhja e Presidentit Biden për votimet e nëntorit. Por në rastin e kandidatit republikan, Donald Trump, ende nuk ka një emër konkret. Kandidati republikan ka thënë se do ta shpallë zgjedhjen e tij në kuvendin republikan që mbahet në korrik.

Mes emrave të përfolur, secili prej tyre sjell mundësinë për ta zgjeruar bazën e mbështetësve të zotit Trump.

Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum është ndër pretendentët kryesor. Një biznesmen i njohur, ai ndërtoi një kompani programesh kompjuterike financiare që u ble nga firma Microsoft në vitin 2001 për një shumë mbi një miliard dollarë.

Pasuria dhe lidhjet e zotit Burgum do të luanin një rol të rëndësishëm për të ndihmuar financimin e fushatës së republikanit Trump. Po ashtu, përvoja dhe njohuritë e tij në biznes përputhen me mënyrën se si zoti Trump e ka paraqitur veten para publikut amerikan.

Një tjetër pretendent i rëndësishëm është e Senatori Marco Rubio i Floridës. Ai ka një përvojë mbi 25 vjeçare në nivel lokal, shtetëror dhe kombëtar.

Aktualisht nënkryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin dhe anëtar i lartë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, amerikano-kubanezi i lindur dhe rritur në Majami mund ta zgjerojnë bazën e mbështetësve të zotit Trump mes popullsisë hispanike.

Në mandatin e tij të parë, Senatori JD Vance nga Ohajo mendohet të jetë ndër pretendentët kryesorë për postin e nënpresidentit. Ish sipërmarrësi u bë i njohur me librin e publikuar në vitin 2016 “Hillbilly Elegy”, në të cilin hulumton rënien kulturore dhe social-ekonomike të shtresës së bardhë në zonat rurale.

Dikur kritik i ashpër i zotit Trump, ai e quajti atë "Hitleri i Amerikës". Aktualisht, ai është mbështetës i fortë i zotit Trump, duke ngritur zërin në mbrojte të tij gjatë procesit gjyqësor në Nju Jork për paratë e heshtura.

Senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, shihet gjithashtu si pretendent i mundshëm për zëvendëspresident. Nëse përzgjidhet, ai do të ishte republikani i parë me ngjyrë që kandidon në dyshen për Shtëpinë e Bardhë, duke zgjeruar mbështetjen e popullsisë me ngjyrë për zotin Trump. Karriera politike e zotit Scott filloi në nivel lokal në vitin 1995, dhe ka shërbyer në Senat që nga viti 2013.

Ligjvënësja nga Nju Jorku, Elise Stefanik, po ashtu shihet si një kandidaturë e mundshme. Ajo e konsideron veten si aleaten më të fortë të zotit Trump në Kongres, ku rënditet e katërta mes udhëheqjes republikane të Dhomës së Përfaqësuesve.

Por përzgjedhja për postin e zëvendëspresidentit nga republikani Trump nuk ka të bëjë vetëm me përshtatshmërinë e përparësive të tij, por edhe kush do të jetë në pozitën më të mirë për t’a çuar më tej këtë vizion, kur të mbarojë mandati prej katër vitesh i zotit Trump, nëse ai i fiton zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG