Imazhet e krijuara përmes inteligjencës artificiale mund të imitojnë stilet e artistëve, çka përbën kërcënim për mënyrën e jetesës së tyre. Siç na njeh korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble, artistët po luftojnë kundër këtij fenomeni duke përdorur mjete të krijuara posaçërisht për të çorientuar sistemet e inteligjencës artificiale që kopjojnë punën e artistëve.
Artistja Karla Ortiz krijon personazhe dhe skena për industrinë e filmit dhe televizionit.
“Këto janë disa gjëra që kam bërë për filmin ‘Black Panther’”, thotë artistja Ortiz.
E kërkuar nga klientët për aftësitë dhe stilin e saj të veçantë, artistja Ortiz u trondit kur mësoi se inteligjenca artificiale ishte trajnuar duke përdorur artin e saj dhe tani po e kopjonte atë.
“Është skandaloze. Kjo industri disa miliarda dollarë po konkurron në tregjet tona”, thotë artistja Ortiz.
Sistemet e inteligjencës artificiale janë trajnuar duke përdorur miliarda imazhe të mbledhura pa leje në internet.
Artistja Ortiz është mes atyre që po e sfidojnë këtë praktikë përpara sistemit të drejtësisë amerikane.
Ajo gjithashtu është duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta.
Ajo dhe artistë të tjerë shpresojnë të mbrojnë imazhet e tyre në internet duke përdorur programe kompjuterike që i ngatërrojnë modelet e AI gjatë trajnimit.
I quajtur Glaze, krijuesit e tij thonë se programi bën ndryshime të vogla në një imazh që nuk vihen re nga syri i njeriut, çka shtrembëron perceptimin e inteligjencës artificiale dhe në vend të saj tregon një artist publik si Van Gogh.
Glaze dhe varianti i mëvonshëm, Nightshade, u zhvilluan në Universitetin e Çikagos dhe mund të shkarkohen falas.
Zëri i Amerikës bisedoi me Shawn Shan i cili udhëhoqi projektin.
“Nightshade shkon më tej duke e ndaluar inteligjencën artificiale që të mësojë nga një pjesë e imazhit, si dhe korrupton në mënyrë aktive bazën e njohurive të këtyre modeleve të inteligjencës artificiale”.
Sa më shumë të përdoret programi në fjalë, aq më i madh është ndikimi. Ai thotë se qëllimi është që të bindë zhvilluesit e inteligjencës artificiale që të paguajnë për veprën e artit që përdorin.
“Përdorimi i madh i këtyre programeve do të fillojë të dëmtojë disa nga produktet e ardhshme të krijuara me inteligjencë artificiale”, thotë artistja Karla Ortiz.
Piktura e saj “Musa Victoriosa”, ishte vepra e parë që kaloi përmes programit Glaze dhe është bërë simbol i betejës në vazhdim.