Lidhje

Presidenti Biden, mbrojtje personave pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë


Presidenti Biden duke njoftuar programin e ri
Presidenti Biden duke njoftuar programin e ri

Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se administrata e tij do të ofrojë mbrojtje për disa kategori emigrantësh pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ky propozim vjen në 12-vjetorin e programit të mëparshëm DACA, që ofronte status të ligjshëm për emigrantët pa dokumente që janë sjellë në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden, mbrojtje personave pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Që një ditë të gjendej brenda shtëpisë më të famshme në Amerikë, Shtëpinë e Bardhë, ishte një ëndërr e paarritshme për Javier Quiroz Castro-n. Ai u soll në Amerikë në moshën tre-vjeçare nga prindërit e tij pa dokumente nga Meksika.

Por të martën, ai ishte në Shtëpinë e Bardhë, shumë larg spitalit në Hjuston ku punon si infermier. Zoti Castro thotë se kjo u mundësua nga programi DACA, për legalizimin e emigrantëve pa dokumente që janë sjellë në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara.

“Shpëtimi i jetëve të emigrantëve u bë i mundur vetëm prej programit DACA. Më mundësoi të jetoj dhe të krijoj familje në të vetmin vend që kam njohur dhe dashuruar”, tha zoti Castro.

Të martën, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një masë të re për t’u ofruar mbrojtje emigrantëve pa dokumenta që janë martuar me shtetas amerikanë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, propozimi i ri mund të ndihmojë rreth 500 mijë persona.

“Këto çifte kanë krijuar familje, kanë dërguar fëmijët në kisha dhe shkolla, kanë paguar taksat, kanë kontribuar për vendin tonë për 10 vite apo më tepër. Kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara gjithë këtë kohë, me frikë dhe pasiguri. Ne mundemi ta ndreqim këtë. Dhe këtë po bëj sot”, tha presidenti Biden.

Por, emigracioni është një temë delikate në këtë vit zgjedhor dhe gjatë 20 viteve të fundit, kalimet e paligjshme në kufirin jugor kanë qenë të larta.

Kandidati republikan për president Donald Trump e ka akuzuar presidentin Biden për atë që e quan “një pushtim emigrantësh”. Ish-presidenti Trump fajëson emigrantët për një sërë veprimesh te paligjshme, përfshirë akte kriminale, si dhe për inflacionin dhe madje edhe për sëmundjet dhe terrorizmin, shpesh pa ofruar evidencë të qartë dhe ndonjëherë në kundërshti me faktet.

“Rreth 50% e inflacionit vlerësohet se është shkaktuar nga rritja e kostove të strehimit, që ka arritur kulmin për shkak të valës së emigracionit të paligjshëm të Joe Biden-it dhe normave të larta të interesit”, tha ish-presidenti Trump.

Aktivistët për të drejtat e emigrantëve nuk janë dakort dhe thonë se studimet tregojnë se ata që do të përfitojnë nga ky program kontribuojnë çdo vit për ekonominë amerikane rreth 13 miliardë dollarë me fuqinë e tyre blerëse.

“Vlerësojmë se nëse do të bëheshin në vazhdim shtetas amerikanë, ata mund ta rrisin kontributin e tyre në rreth 5 miliardë dollarë në vit. Me një lloj statusi të ligjshëm që do t’u ofrohej nëpërmjet kësaj politike, atyre do t’u lejohej të fillonin karriera që deri më tani iu mohohen. Do të jenë gjithashtu më produktivë për ekonominë tonë, duke ndihmuar kështu familjet e tyre, por edhe shoqërinë tonë në tërësi”, thotë Phillip Connor, nga organizata dypartiake për të drejtat e emigrantëve FWD.us.

Rebecca Shi, drejtore ekzekutive e Koalicionit për Emigracionin të Biznesit Amerikan, thotë se nëna e saj ka qenë pa dokumente për gati dy dekada.

“Ishte doktoreshë në Kinë, por për 19 vite ishte pa dokumente këtu. Punoi në restorante kineze, punoi në azile për të moshuarit, duke u kujdesur për higjienën e tyre, por pa qenë në gjendje të ushtronte profesionin e saj. Dhe kur arriti të legalizohej dhe të merrte kartën jeshile, iu rikthye fushës së mjekësisë. Kjo ka qenë shumë entuziazmuese dhe përmirësoi së tepërmi cilësinë e jetës së saj. Pra kur legalizohen njerëz që kanë qenë këtu prej dekadash dhe që kanë kontribuar tashmë, i hiqen kufizimet edhe potencialit të tyre ekonomik. Dhe kjo është gjë e mirë për çdo amerikan”, thotë zonja Shi.

Dhe për amerikanët si Javier Quiroz Castro-n, kjo ka domethënie edhe më të madhe: një përqafim i ngrohtë nga vendi që ai e quan atdhe.

XS
SM
MD
LG