Lidhje

Prokuroria paraqet argumentet mbyllëse në gjyqin ndaj djalit të Presidentit Biden 


Hunter Biden
Hunter Biden

Një prokuror tha të hënën se “askush nuk është mbi ligjin” ndërsa ai i bëri thirrje jurisë që të shpallë fajtor djalin e Presidentit Joe Biden, Hunter për akuzat se ka gënjyer mbi përdorimin e drogës në një formular për blerjen e një arme në vitin 2018.

Prokurori Leo Wise filloi paraqitjen e argumenteve mbyllëse menjëherë pasi mbrojtja i dha fund paraqitjes së provave pa i kërkuar zotit Biden që të dëshmonte në gjyqin ndaj tij.

Gjyqi nxorri në pah disa nga momentet më të errëta të jetës së zotit Hunter Biden, të lidhura me përdorimin e drogës.

Provat kundër djalit të presidentit amerikan Joe Biden ishin të shëmtuara, por ato vërtetojnë se ai ishte fajtor për një deklaratë të rreme në lidhje me përdorimin e drogës në një formular të kontrollit të biografisë kur bleu një armë, tha prokurori Wise.

"Provat ishin personale, të shëmtuara dhe të shumta", tha prokurori Leo Wise para 12 anëtarëve të jurisë gjatë fjalëve paraqitjes së argumenteve mbyllëse në gjyqin ndaj djalit të presidentitn Joe Boden, 54 vjeçari Hunter Biden. "Por paraqitja e këtyre provave ishte gjithashtu e nevojshme."

Më herët, Hunter Biden u pa duke buzëqeshur gjatë një bisede me avokatët e tij mbrojtës dhe përshëndeti nga distanca një mbështetës të tij në korridorin e sallës së gjyqit pas paraqitjes së dëshmitarit të fundit, një agjenti të FBI-së të thirrur nga prokuroria.

Disa anëtarë të familjes, përfshirë Zonjën e Parë Jill Biden dhe vëllain e Presidentit Biden, James Biden, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit në Delauer. Zonja Biden ka qenë e pranishme gjatë pothuajse të gjithë gjyqit, duke munguar vetëm një ditë për shkak të pjesëmarrjes në ceremonitë për nder të përvjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi të Francës.

Prokurorët në gjyqin e parë penal ndaj të birit të një presidenti amerikan përfunduan të premten paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve, pas një jave, në të cilin u zbuluan hollësi intime të viteve të abuzimit me alkoolin dhe kokainën, gjë që prokurorët thonë se e bënin të paligjshme blerjen e armëve për zotin Biden.

Hunter Biden, 54 vjeç, ka thënë se është i pafajshëm për akuzat penale se ka gënjyer mbi varësinë nga droga në formularin qeveritar për blerjen e një postolete “Colt Cobra” dhe posedim të paligjshëm të armës për 11 ditë.

Gjyqi, që po zhvillohet në një gjykatë federale në Delauer, pason gjyqin historik ndaj ish Presidentit Donald Trump, në të cilin më 30 maj ai u shpall fajtor për 34 akuza penale. Zoti Trump pritet të jetë kandidat republikanëve për president në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, në të cilat pritet të ndeshet me Presidentin Biden.

Zoti Trump dhe disa nga aleatët e tij republikanë në Kongres kanë pretenduar se gjyqi në Nju Jork dhe tre çështjet e tjera penale ndaj tij janë përpjekje të motivuara politikisht për ta penguar kthimin e tij në pushtet.

Ligjvënësit demokratë në Kongres citojnë hetimin dhe gjyqin ndaj Hunter Bidenit si provë se Presidenti Joe Biden nuk po përdor sistemin e drejtësisë për qëllime politike apo personale.

Javën e kaluar, ish-bashkëshortja, ish e dashura dhe kunata e zotit Hunter Biden dëshmuan për historinë e përdorimit të drogës prej tij, duke u thënë anëtarëve të jurisë se ato shpesh gjenin drogë në banesën e tij dhe ishin të shqetësuar për varësinë e tij nga droga.

Hunter Biden i tha gjykatësit që mbikëqyrte çështjen në një seancë dëgjimore të vitit 2023 se ai nuk ka konsumuar alkool ose drogë që nga viti 2019.

Avokati i zotit Biden, Abbe Lowell, u tha anëtarëve të jurisë gjatë deklaratës së tij hapëse se klienti i tij nuk kishte pasur ndërmend të mashtronte sepse në kohën kur bleu armën ai nuk e konsideronte veten përdorues droge.

Mbrojtja thirri tre dëshmitarë të premten, përfshirë pronarin e dyqanit të armëve dhe një punonjëse dhe vajzën e zotit Biden, Naomi, e cila tha se babai i saj dukej se ishte mirë kur ajo e pa atë gjatë javëve para dhe pasi blerjes së armës.

Nëse shpallet fajtor, Hunter Biden përballet me një dënim prej 25 vitesh burg, ndonëse për kundërvajtjet për herë të parë shkelësit e ligjit marrin dënime shumë më të ulëta se sa parashikon dënimi maksimal. Mbetet e paqartë nëse gjykatësi do t’i japë atij dënim me burg.

XS
SM
MD
LG