Ndryshimi i klimës nuk është përgjegjës vetëm për rritjen e nivelit të detit dhe motin ekstrem, thonë ekspertët e klimës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, një studimi të ri thotë se ndryshimi i klimës mund të ndikojë edhe në matjen e kohës globale.
Matja e saktë e kohës sot bëhet me përdorimin e rreth 400 orëve atomike në mbarë botën.
E ashtuquajtura Koha Universale e Koordinuar, ose UTC, është një llogaritje komplekse e bërë nga Byroja Ndërkombëtare e Peshave dhe Masave dhe bëhet në përputhje me shpejtësinë e rrotullimit të tokës, që ka një prirje të ndryshojë.
“Në vitet 1970 bota vendosi që ndryshimi midis kohës atomike dhe rrotullimit të tokës të mos jetë më i madh se një sekondë. Shtojmë një sekondë në orën tonë globale kur dallimi mes dy njësive matëse është rreth një sekondë”, thotë Patrizia Tavella, drejtore e Byrosë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave.
Kohëmatësit kanë shtuar nga një sekondë në sistemin e matjes së kohës 27 herë që nga viti 1972.
Por prej disa vitesh ka patur spekulime se mund të jetë e nevojshme edhe zbritja e një sekonde.
Në një botë që mbështetet tek ora, këto ndryshime mund të shkaktojnë probleme.
“Në disa raste këto probleme kanë qenë të mëdha, të ngjashme me ato të uljes së avionëve, sepse kompjuterët pushuan së funksionuari. Dhe ne nuk e dimë nëse ky problem do të përkeqësohej nëse zbresim një sekondë në sistemin aktual të matjes së kohës”, thotë Demetrios Matsakis, ish punonjës i Observatorit Detar të Shteteve të Bashkuara.
Por një studim i ri në revistën "Nature" thotë se ndryshimi i klimës mund të ketë shtyrë nevojën për kthimin mbrapa me një sekondë të orës globale.
“Në Arktik është bërë më ngrohtë dhe kjo ka shkaktuar një shkrirje të madhe të akullit që rrjedh nëpër oqeanet në të gjithë botën. Ngrohja globale ka shkaktuar një ngadalësim në ritmin e rrotullimit të tokës”, thotë Duncan Agnew, studiues në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Ky ngadalësim krijon nevojën për kthimin mbrapa me një sekondë të orës globale mes viteve 2026 dhe 2029. Megjithatë, ky efekt në dukje pozitiv, nuk mund të krahasohet me efektet negative të ndryshimeve klimatike, duke përfshirë rritjen e nivelit të detit, thotë studiuesi Duncan Agnew. Gjeofizikani i Universitetit Yale, Jeffrey Park është dakord me këtë vlerësim.
“Kjo është një dëshmi se në fakt proceset e ngrohjes globale përmes shkrirjes së shtresave të akullit polar po ndikojnë në këtë veçori shumë themelore të planetit tonë: rrotullimin e tij. Ndryshimet janë shumë të vogla, por ato mund të maten”, thotë ai.
Duke pasur parasysh problemet që mund të shkaktojë ndryshimi i orës me një sekondë, autoritetet globale të matjes së kohës votuan për shtyrjen e saj deri në vitin 2035. Diskutimet mbi përputhjen e Kohës së Koordinuar Universale me rrotullimin e Tokës pritet të bëhen në konferencën e ardhshme, që do të mbahet në vitin 2026.