Lidhje

Presidenti Biden pritet me ceremoni shtetërore në Francë, dëshmohet partneriteti për sigurinë globale


Gjatë pritjes në Harkun e Triumfit (Paris, 8 qershor 2024)
Gjatë pritjes në Harkun e Triumfit (Paris, 8 qershor 2024)

Presidenti Joe Biden ndodhet sot në Paris ku është pritur me ceremoni në një vizitë shtetërore nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Vizita filloi me një ceremoni mirëpritjeje në Harkun e Triumfit dhe një paradë ushtarake përgjatë bulevardit Champs-Elysees.

Presidenti Biden pritet me ceremoni shtetërore në Francë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Më pas, dy presidentët bënë një takim dypalësh që u pasua nga deklarata publike, gjatë të cilave presidenti Biden vuri në dukje miqësinë e ngushtë me Francën dhe falenderoi Evropën për kontributin për Ukrainën që po mbrohet nga agresioni rus.

Në këtë mënyrë i kemi treguar botës sërish fuqinë e aleatëve, se çfarë mund të arrijmë duke qëndruar së bashku. Shembullin e asaj çfarë përfaqëson marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës, e shohim në Ukrainë, ku dy vendet qëndrojnë përkrah popullit ukrainas që lufton ndaj agresionit... Putini nuk do të ndalej në Ukrainë. E gjithë Evropa do të rrezikohej”, tha presidenti Biden.

Presidenti Biden duke folur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin francez Macron
Presidenti Biden duke folur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin francez Macron

Presidenti francez konfimoi marrëdhënien e veçantë me Shtetet e Bashkuara.

Ky është një unitet i siguruar me gjakun e të rënëve. Është një vëllazëri mes dy vendeve... Kjo shpaloset sot në Ukrainë ku po luftohet me trimëri ndaj agresionit. Iu përgjigjëm së toku sfidës për t’i dhënë mbështetjen këtij vendi evropian që po lufton për mbijetesën e tij”, tha zoti Macron.

Në mbrëmje, presidenti francez shtron një darkë shtetërore në pallatin Elysee për nder të presidentit Biden dhe bashkëshortes së tij, zonjës së parë Jill Biden.

Gjatë ceremonive në Paris dhe atyre të mëparshme në Normandi për të kremtuar Ditën e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, dy aleatët synuan të shfaqnin partneritetin për çështjet e sigurisë globale dhe për të lënë pas tensionet në lidhje me tregtinë.

Avionët luftarakë kalojnë mbi qiejt e Parisit ndërsa presidenti Biden dhe presidenti Macron bëjnë homazhe tek Varri i Ushtarit të Panjohur (8 qershor 2024)
Avionët luftarakë kalojnë mbi qiejt e Parisit ndërsa presidenti Biden dhe presidenti Macron bëjnë homazhe tek Varri i Ushtarit të Panjohur (8 qershor 2024)

Gjatë fjalimit të tij në brigjet e Normandisë, aty ku aleatët zbarkuan 80 vite më parë, presidenti Joe Biden theksoi nevojën për unitet transatlantik dhe u bëri thirrje amerikanëve të ripërtërijnë angazhimin e tyre për mbrojtjen e demokracisë.

Në Normandi ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili shprehu mirënjohjen për mbështetjen për vendin e tij gjatë takimeve emocionale me veteranët amerikanë. Në momente të tilla, për Evropën bëhet edhe më e qartë se ajo duhet të luajë rolin e saj.

Presidenti ukrainas Zelensky dhe bashkëshortja e tij ndër të ftuarit në Normandi, Francë (6 qershor 2024)
Presidenti ukrainas Zelensky dhe bashkëshortja e tij ndër të ftuarit në Normandi, Francë (6 qershor 2024)

“Ka pa dyshim një ndjesi të përbashkët në Evropë se duhet të shtojmë përpjekjet për mbrojtjen dhe sigurinë. Por sigurisht që siguria evropiane dhe e ardhmja e arkitekturës së sigurisë në Evropë nuk mund të ndodhë pa Shtetet e Bashkuara. Pra, çfarëdo hapash që të ndërmerren, kjo do të jetë me praninë amerikane dhe një lloj koordinimi”, thotë Leonie Allard, nga Këshilli i Atlantikut.

Mesazhi i dhënë që përtej oqeanit në Evropë, duket se mund të zërë vend në një pjesë të rëndësishme të amerikanëve që besojnë në rolin e Amerikës.

“Ekziston një numër i madh amerikanësh, që janë veteranë dhe që respektojnë ushtrinë dhe besojnë se Shtetet e Bashkuara kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, një rol të veçantë për të luajtur në një botë që mbron demokracinë. Dhe për këta individë, mendoj se mesazhi i presidentit Biden do të jetë bindës”, thotë Jeremi Suri, nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Por, mesazhet e dhëna përpara veteranëve të paktë amerikanë që kanë mbetur ende gjallë nga Lufta e Dytë Botërore, ndërlikohen për shkak të mbështetjes së vazhdueshme për Izraelin që vazhdon luftën ndaj Hamasit në Rripin e Gazës.

XS
SM
MD
LG