Përpjekja për të vrarë kryeministrin populist të Sllovakisë muajin e kaluar ka nxjerrë në pah ndarjet në Evropën Qendrore, një rajon që është bërë veçanërisht i polarizuar sidmos pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Ndërkaq, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, Rusia ka rritur fushatën propagandistike të saj.
Kryeministri sllovak Robert Fico iu drejtua kombit me një mesazh në rrjetet sociale të regjistruar në shtëpinë e tij, pas daljes nga spitali, ku mori trajtim mjekësor pasi u qëllua disa herë me armë. Zoti Fico beson se sulmi ishte për shkak të pikëpamjeve të tij kundër mbështetjes për Ukrainën.
Duke u mbështetur në të dhënat nga sondazhet, analistët thonë se polarizimi midis atyre që mbështesin Ukrainën dhe atyre që janë në anën e Rusisë është rritur tejmase. Kjo nuk vërehet vetëm në rrugët e Sllovakisë, por në shoqëritë në të gjithë Evropën Qendrore.
Një raport, nga organizata sllovake ‘GLOBASEC’, thotë se zgjatja e luftës është arsyeja për uljen e mbështjetjes për Ukrainën në këto vende.
“Ajo që ka ndodhur është rënia e mbështetjes që ekzistonte në fillim, në vitin 2022. Për shembull, në Poloni, krahasuar me vitin 2022, më pak njerëz e shohin të ardhmen e Ukrainës në BE, NATO ose në të dyja bashkë”, thotë për Zërin e Amerikës një nga bashkë-autorët e raportit, Patrik Szichrle, nga Qendra për Demokraci.
“Këto fushata dezinformuese nuk synojnë realisht të fitojnë zemrat e europianolindorëve, por t'i ngatërrojnë ata, t'i bëjnë të besojnë se Perëndimi nuk është aq i mirë”, thotë për Zërin e Amerikës Dorka Takscy nga Fondi Gjerman Marshall.
Analistët thonë se së bashku me rritjen e fushatave propagandistike në mediat sociale, Rusia vazhdimisht punon për të depërtuar në institucionet jo vetëm të vendeve të Evropës Qendrore, por edhe të Evropës Perëndimore. Së fundmi janë arrestuar spiunë të dyshuar rusë në Gjermani.
“Ne shohim atë që duket si një aktivizim i programeve të Rusisë për të shtrirë ndikimin e shërbimeve të saj të inteligjencës dhe sigurisë potencialisht për t'u përgatitur për konflikt me Evropën”, thotë për Zërin e Amerikës Keir Giles, nga organizata Chatham House me qendër në Londër.
Nga Riga në Bratislavë, vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, dikur brenda sferës së ndikimit të Moskës, përballen me trysni në rritje që po i tensionon shoqëritë e tyre. Kjo trysni po po ngre shqetësime për të ardhmen e demokracisë në rajon.