Dhuna e shënuar së fundmi mes ushtarëve dhe emigrantëve në kufirin polako-bjellorus ka nxitur qeverinë polake të rrisë sigurinë dhe të njoftojë në 4 qershor rikthimin e zonës asnjanëse 200 metra të gjatë. Polonia e sheh fluksin e fundit të emigrantëve nga Bjellorusia si një taktikë të luftës hibride. Korrespodenta e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze vizitoi rajonin dhe sjell materialin në vazhdim.
Në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, Parku Kombëtar Bialowieza, shumë i njohur nga turistët dhe adhuruesit e natyrës, ka qenë rishtazi terren i përplasjeve mes ushtarëve polakë dhe emigrantëve, duke e nxitur Poloninë të njoftojë rikthimin e zonës asnjanëse 200 metra të gjatë.
Zona është ndarë pjesërisht nga ky gardh që nga viti 2021, kur Polonia u përball për herë të parë me një fluks emigrantësh nga Bjellorusia.
Në atë kohë, qeveria polake akuzoi Bjellorusinë për përdorimin e emigrantëve, disa nga Lindja e Mesme, si një taktikë të luftës hibride për të shkaktuar paqëndrueshmëri në kufirin me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Michal Bura, një oficer i lartë i shtabit të Gardës Kufitare polake, thotë se këtë herë dhuna në kufi është rritur.
“Gjendja në kufi është shumë e rrezikshme. Çdo ditë ndodhin qindra incidente të lidhura me kalimin e paligjshëm të kufirit. Emigrantët janë shumë agresivë dhe sulmojnë rojet kufitare polake”, shprehet ai.
Javën e kaluar, dy roje kufitare polake morën trajtim mjekësor në spital pasi u lënduan në kufi nga sulmet e emigrantëve, sulme që përfshinë goditje me thikë.
“Emigrimi këtu po nxitet artificialisht. Qeveritë në Moskë apo Minsk po vendosin se kur dhe sa njerëz do të kalojnë kufirin. Ky nuk është një proces i natyrshëm emigrimi. Ky është një nga elementët e luftës hibride. Kjo është një provë për forcën dhe afësitë tona dhe një përpjekje për të shpërqëndruar vëmendjen tonë nga lufta në Ukrainë”, shprehet zoti Bura.
Zëri i Amerikës iu drejtua zyrtarëve në Ambasadën Bjelloruse në Poloni për një koment, por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk mori një përgjigje.
Zyrtarët bjellorusë kanë hedhur poshtë akuzat se vendi i tyre ka ndihmuar në dërgimin e emigrantëve në kufirin polak.
Pas vizitës së kohëve të fundit në këtë zonë, kryeministri polak Donald Tusk njoftoi rikthimin e zonës neutrale me një gjatësi prej 200 metrash. Zona neutrale ishte krijuar në vitin 2021, por u hoq një vit më vonë, pas ndërtimit të një gardhi kufitar.
Olivia Hurley është një vullnetare e Grupit Granica, e cila ndihmon emigrantët në kufi dhe mbikqyr shkeljet e të drejtave të njeriut. Ajo thotë se emigrantët po përdoren nga Bjellorusia.
“Ata duan të hyjnë në Bashkimin Evropian. Ata nuk duan të arrestohen dhe të futen në burg për vrasjen, për shembull, të një rojeje kufitare polake. Por nga pikëpamja e autoriteteve bjelloruse, kjo është në interesin e tyre, sepse ata janë përpjekur shumë herë të provokojnë ushtrinë polake dhe rojet kufitare polake që të përfshihen në përplasje”, shprehet Olivia Hurley nga grupi Granica.
Zonja Hurley sjell në vëmendje historitë e rryfyera nga emigrantët mbi vështirësitë dhe vuajtjet që ata kanë përjetuar në Bjellorusi.
“Rrahjet, përdhunimet, uria, rryshfetet, kjo është arsyeja pse ata i luten forcave polake që të mos i kthejnë përsëri në Bjellorusi”, thotë ajo.
Zonja Hurley tregon shtrirjen e zonës asnjanëse. Ajo thotë se një akt i tillë nuk do ta zgjidhë problemin dhe mund të dëmtojë sipërrmarjet lokale.
“Kalimi në këtë rrugë është i lejuar, por në anën tjetër, 15 metra brenda në pyll, është një vijë e padukshme që nuk mund ta kaloni”, tregon ajo.
Turistët tashmë kanë filluar të anulojnë planet e tyre për të vizituar parkun.
Zonja Hurley dhe të tjerë thonë se duhet të ketë një zgjidhje gjithëpërfshirëse që të bëjë të mundur sigurinë në kufi dhe njëkohësisht të mbrojë të drejtat e azilkërkuesve.