Lidhje

Të ardhurat mesatare do të bien me 19% për shkak të ndryshimit klimatik


Të ardhurat mesatare në mbarë botën do të pakësohen me një të pestën deri në mesin e shekullit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, një raport i ri i Institutit të Potsdamit thotë se shkaktar për këtë rënie ekonomike do të jetë ndryshimi klimatik.

Të ardhurat mesatare do të bien me 19% për shkak të ndryshimit klimatik
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Në Filipine këtë javë u mbyllën shkollat. Nxënësit dhe mësuesit u urdhëruan të qëndrojnë në shtëpi ndërsa temperaturat ishin në rreth 40 gradë Celcius.

Ndërsa pjesë të mëdha të botës përjetojnë motin ekstrem, një studim i ri paralajmëron se pasojat globale të klimës që po ndryshon pritet të arrijnë deri në vitin 2050 një kosto prej 38 miliardë dollarësh në vit.

Kjo do të thotë se të ardhurat mesatare të botës do të bien me rreth 19%. Humbjet duket se do të jenë të vazhdueshme.

“Zbuluam se gjatë 25 deri në 30 vitet e ardhshme, ndikimi tek ekonomia do të jetë i vazhdueshëm në skenarë të ndryshëm të nivelit të ndotjes, pavarësisht nëse do të gjendemi në një botë me ndotje të lartë apo të ulët”, thotë Maximilian Kotz, nga Instituti i Potsdamit për Studimin e Ndikimit Klimatik.

Në veçanti në temperatura të larta, ndryshimi klimatik është provuar se ndikon tek rendimenti i punës, thotë zoti Kotz.

“Kjo do të manifestohet në vazhdim në industritë e ndryshme. Është megjithatë ndikim veçanërisht i fortë tek punëtorët në mjedise të jashtme, ose në kontekstin e sektorëve të prodhimit. Pastaj dimë se janë shumë të mëdha pasojat tek rendimenti në bujqësi për shkak të temperaturave veçanërisht të larta”, thotë zoti Kotz.

Studimi shqyrtoi të dhënat klimatike dhe ekonomike të 40 viteve të fundit nga mbi 1600 rajone të botës dhe i përdori këto të dhëna për të vlerësuar pasojat në të ardhmen. Rajonet më pak përgjegjëse për ndotjen globale janë ato që pritet të vuajnë pasojat më të mëdha.

“Rajonet në pjesën jugore të globit janë më të rrezikuarat dhe do të ndikohen më shumë nga ndryshimi klimatik. Arsyeja e thjeshtë është sepse këto rajone janë që tani më të nxehta”, thotë zoti Kotz.

Studimi thotë se marrja e masave ndaj ndryshimit klimatik do të kushtonte shumë më pak se përballja me dëmin e ardhshëm ekonomik. Studimi thotë se kostoja e pakësimit të gazit ndotës do të ishte vetëm sa një e gjashta e kostos prej 38 miliardë dollarësh që do të shkaktojë ndryshimi klimatik deri në vitin 2050.

XS
SM
MD
LG