Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE/ODIHR, tha të hënën se zgjedhjet lokale të së dielës në Serbi u administruan mirë, por shqetësimet për trysninë e përhapur mbi punonjësit e sektorit publik, keqpërdorimin e burimeve publike dhe qasja e medias në favor të koalicionit qeverisës, ndikoi negativisht në proces.
Në një deklaratë lidhur me gjetjet paraprake, ky mision tha se dita e zgjedhjeve në përgjithësi kaloi pa probleme, por u ndikua negativisht nga çështjet që lidhen me fshehtësinë e votës, probleme të shumta procedurale, pretendime për trysni dhe blerje votash dhe raste të izoluara dhune.
Serbia mbajti të dielën zgjedhje për pushtetin lokal në rreth 80 komuna të saj dhe sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, shënoi një fitore të thellë në zgjedhjet për pushtetin lokal të së dielës, përfshirë edhe zgjedhjet e përsëritura në Beograd.
Por, disa parti opozitare thanë se votimet u përcollën me parregullsi të mëdha dhe paralajmëruan për mosnjohje të rezultatit.
Partia Përparimtare e presidentit serb Aleksandar Vuçiç do të forcojë edhe më tej kontrollin e gjerë mbi pushtetin në vend, mes kritikave për shtypje të demokracisë.
Zgjedhjet në kryeqytetin serb u përsëriten pasi raportet për parregullsi të gjera dhjetorin e kaluar nxitën tensione politike dhe akuza se Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç manipuloi votimet. Populistët në pushtet u akuzuan në dhjetor të vitit të kaluar nga opozita dhe vëzhguesit e pavarur për transportim me autobusë të votuesve nga zona të tjera të Serbisë dhe nga Bosnja fqinje, gjë që ata e kanë mohuar. Raportime të ngjashme u publikuan nga mbështetësit e opozitës të dielën në rrjetet sociale.
Presidenti Vuçiç kërkon zyrtarisht që kombi i tij i trazuar të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por është larguar vazhdimisht nga vlerat evropiane të demokracisë, ndërsa ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Partia Përparimtare Serbe e ka paraqitur veten si të vetmen forcë politike të aftë për ta drejtuar vendin dhe për ta mbajtur atë të sigurt në një kohë trazirash globale.
Grupet opozitare properëndimore e kanë akuzuar presidentin Vuçiç për lidhje me krimin, korrupsionin e shfrenuar dhe shtypjen e demokracisë. Por një aleancë e gjerë e cila qëndroni prapa protestave të mëdha antiqeveritare në rrugë vitin e kaluar është ndarë dhe ish aleatët janë kthyer kundër njëri-tjetrit, duke nxitur apatinë mes 6.5 milionë votuesve në Serbi.