Lidhje

Claudia Sheinbaum, presidentja e parë grua e Meksikës


Claudia Sheinbaum
Claudia Sheinbaum

Rezultatet paraprake zyrtare të votimit publikuar herët të hënën, tregojnë se kandidatja e partisë në pushtet, Claudia Sheinbaum, është fituese e zgjedhjeve presidenciale në Meksikë, duke u bërë udhëheqësja e parë grua që merr drejtimin e vendit. Ish-kryebashkiakja kandidoi nën siglën e partisë Morena, me premtimet për të çuar më tej politikat e Presidentit Andrés Manuel López Obrador.

Claudia Sheinbaum, presidentja e parë grua e Meksikës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00


Kreu i Institutit Kombëtar të Zgjedhjeve në Meksikë, tha se sipas përllogaritjeve paraprake në zgjedhje, kandidatja Claudia Sheinbaum, ka marrë mes 58.3% dhe 60.7% të votave.

“Me këtë vendim populli meksikan mundëson vazhdimin e përparimit të programit të Presidentit Obrador, (që ligji zbatohet për të gjithë dhe askush nuk është mbi ligjin). Për herë të parë në 200 vjet, Meksika ka një grua presidente të republikës”, tha presidentja e zgjedhur e Meksikës, Claudia Sheinbaum.

Në një vend me afro 100 milionë katolikë, zonja Sheinbaum do të jetë gjithashtu presidentja e parë në historinë e Meksikës me prejardhje hebraike.

Zonja Sheinbaum i detyrohet presidentit në largim, Andrés Manuel López Obrador, për një pjesë të madhe të popullaritetit të saj. Zoti Obrador, i cili i përket vijës së majtë sikurse edhe presidentja e zgjedhur, ka qenë mentor i saj dhe 60 për qind e popullsisë e miraton punën e tij .

Rezultatet paraprake tregojnë se Partia Morena fitoi shumicën e vendeve në të dyja dhomat e Kongresit. Kundërshtarja e saj, Xóchitl Gálvez, senatore e opozitës dhe përfaqësuese biznesi me prejardhje indigjene, ka marrë mes 26.6% dhe 28.6% të votave.

“Është koha të lëmë pas fushatat dhe të hyjmë në një fazë pajtimi ku ajo që na bashkon si banorë të Meksikës, ka përparësi. Nuk mund të anashkalojmë faktin se ky ishte një proces i pabarabartë, i karakterizuar nga ndërhyrja e presidentit dhe përdorimi i programeve sociale. Ky ka qenë edhe procesi zgjedhor më i dhunshëm në historinë e vendit tonë”, tha Xóchitl Gálvez, kandidate për presidente e Meksikës.

Disa orë përpara hapjes së qendrave të votimit të dielën, një kandidat lokal u vra në një shtet të Meksikës, thanë autoritetet, një nga të paktën 25 kandidatët e tjerë politikë të vrarë gjatë fushatës aktuale, sipas të dhënave zyrtare.

Më shumë se 450,000 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë zhdukur që nga viti 2006, kur qeveria angazhoi ushtrinë për të luftuar trafikun e drogës.

Zonja Sheinbaum është zotuar të vazhdojë strategjinë e debatueshme të Presidentit López Obrador “përqafime jo plumba” për të luftuar krimin në themelet e tij.

XS
SM
MD
LG