Lidhje

Kandidatët për president me pikëpamje krejt të ndryshme për klimën dhe hidrokarburet


Kandidatët për president Joe Biden dhe Donald Trump kanë qëndrime dhe plane shumë të ndryshme për çështjet klimatike dhe energjetike

Gjatë viteve të tij në detyrë, presidenti Joe Biden i ka bërë të qarta pikëpamjet e tij për ndryshimin klimatik.

“Administrata ime e ka trajtuar krizën si një rrezik ekzistencial që nga momenti që morëm detyrën, jo vetëm për ne, por për të gjithë njerëzimin”, tha presidenti Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator 2023.

Presidenti Biden i ka zgjeruar opsionet për energjinë, përfshirë atë diellore dhe nga era. Ai ka vendosur gjithashtu kufizime ndaj shpimeve për naftë në tokën në pronësi të qeverisë federale.

Aktivistët kërkojnë që të bëhet më shumë.

“Krahas thjesht ndryshimit klimatik, kemi edhe zogj dhe specie shumë të rralla në mbarë Amerikën, që ndikohen shumë nga kërkimet për naftë. Nuk do të mjaftojë vetëm shtimi i energjisë së pastër, pa ulur paralelisht prodhimin e karburanteve fosile”, thotë Collin Rees, nga organizata “Oil Change US”.

Nëse presidenti Biden dëshiron të marrë në zgjedhjet në nëntor mbështetjen e votuesve që interesohen për mjedisin, ai do të duhet të bëjë ndryshime të mëtejshme, thotë zoti Rees.

“Është e rëndësishme që të ndërmarrë veprime që të demonstrojnë se është i gatshëm t’u kundërvihet karburanteve fosile, pasi kjo është ajo çfarë do të rigjallërojë mjedisorët. Kjo do t’i bënte ata nga votues që ngurojnë, në votues aktivë që do të përpiqen të bindin edhe miqtë e tyre”, thotë zoti Rees.

Ish-presidenti Donald Trump ka një plan shumë të ndryshëm nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të shpojmë (për naftë) menjëherë”, deklaroi zoti Trump në janar.

Komisionet e Senatit për financat dhe buxhetin po hetojnë rreth një oferte që ish-presidenti Trump u njoftua se u ka bërë kompanive të hidrokarbureve se nëse japin 1 miliardë dollarë donacione për fushatën e tij elektorale, ai do të heqë kufizimet e vendosura për të luftuar ndryshimet klimatike kur të jetë zgjedhur president.

Ajo që është e sigurt është se industria e naftës dhe gazit u forcua gjatë administratës së ish-presidentit Trump, thotë Kathleen Sgamma, nga organizata jofitimprurëse “Western Energy Alliance”.

“Presidenti Trump mbrojti naftën vendase dhe gazin natyror dhe u përpoq t’i bëjë Shtetet e Bashkuara një superfuqi energjetike. Dhe e arritëm këtë status”, thotë zonja Sgamma.

Por ajo thotë se megjithë kritikat për presidentin Biden, ky sektor industrial do të punojë me këdo që do të jetë në Shtëpinë e Bardhë.

“Të shpresojmë se një administratë e dytë e presidentit Biden, që vendosi kufizime të forta gjatë mandatit të parë, ndoshta do të bëjë një hap prapa në mandatin e dytë. Me një administratë të re të presidentit Trump, të shpresojmë se disa nga këto kufizime do të hiqen”, thotë zonja Sgamma.


Analistët mendojnë se rezultati i zgjedhjeve të nëntorit do të ketë pasoja brenda vendit dhe në mbarë globin, pasi mund të ndikojë tek roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara për çështjet klimatike.

XS
SM
MD
LG