Lidhje

Zyrtari izraelit: Lufta ndaj Hamasit mund të zgjasë deri në fund të vitit


Një zyrtar i lartë i Izraelit tha se pret që lufta kundër Hamasit të zgjasë deri në fund të vitit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për armëpushim.

“Mund të na duhen edhe 7 muaj të tjerë luftime për të forcuar suksesin tonë dhe për të arritur atë që e kemi cilësuar si shkatërrim të Hamasit”, tha Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Tzachi Hanegbi, të mërkurën për radion publike izraelite.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, gjatë vizitës në Moldavi, tha se Izraelit i duhet “sa më parë të jetë e mundur” një plan post-lufte dhe se mungesa e një projekti të tillë mund të shkaktonte kaos.

“Mendoj se kjo nënvizon rëndësinë jetike për të patur një plan pas luftës sepse pa një plan të tillë, mund të mos ketë mbarim të luftës”, u tha zoti Blinken gazetarëve.

“Pa një plan të tillë,Hamasi do të mbetet në fuqi, çka është e papranueshme. Ose ndryshe, do kemi kaos dhe paligjshmëri”.

Zyrtari i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme i mbështeti këto shqetësime të mërkurën, duke thënë se një strategji politike më afatgjatë duhet të bëhet pjesë e përpjekjeve të tanishme për t'i dhënë fund luftimeve.

Koordinatori i posaçëm i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland
Koordinatori i posaçëm i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland

"Më lejoni të jem i qartë: Kuadri dhe strukturat politike që krijojmë tani do të luajnë një rol domethënës për suksesin apo dështimin e asaj që do të vijë në vazhdim", tha Tor Wennesland gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit për Lindjen e Mesme. "Kjo kërkon që të veprojmë me objektiva dhe me kujdes, duke e ditur se vendimet e sotshme jo vetëm që do t'i japin formë qeverisjes së ardhshme të Gazës, por gjithashtu do të përcaktojnë trajektoren më të gjerë të konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve".

Dhuna në Rafah

Ushtria izraelite tha të mërkurën se tre ushtarë të saj kishin mbetur të vrarë në qytetin Rafah në jug të Gazës, ku banorët njoftuan për sulme të tjera ajrore nga Izraeli dhe Hamasi njoftoi se lëshoi raketa kundër forcave izraelite.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se ka marrë kontrollin e Korridorit Filadelfi, një rrugë kryesore 14 kilometra e gjatë që kalon përgjatë kufirit Gazë-Egjipt.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara thonë se ka patur një rënie prej 67% në rrjedhën e ndihmave humanitare në Gazë që kur ushtria izraelite filloi ofensivën në Rafah më 6 maj.

"Kjo është për shkak të mbylljes së vendkalimit Rafah, pamundësisë për të marrë mallra në mënyrë të sigurt dhe të vazhdueshme nga vendkalimi Kerem Shalom dhe dërgesave të kufizuara përmes pikave të tjera hyrëse", u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Izraeli e kundërshton këtë, duke thënë se po lejon ushqimin dhe furnizimet e tjera të hyjnë në Gazë dhe se kalimet kufitare janë të hapura nga pala izraelite.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vetëm një spital mbetet pjesërisht funksional në Rafah, ndërsa viktimat shtohen nga luftimet.

Palestinezët duke u larguar nga qyteti Rafah (28 maj 2024)
Palestinezët duke u larguar nga qyteti Rafah (28 maj 2024)

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 940,000 palestinezë janë larguar nga Rafahu në tre javët e fundit për shkak të ofensivës së Izraelit. 100,000 të tjerë janë zhvendosur nga luftimet në Gazën veriore.

Sulmet e fundit vijnë në një kohë që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe janë shprehur se është e nevojshme që të ketë armëpushim në Gazë dhe që grupet humanitare të kenë mundësi të ndihmojnë palestinezët që kanë dëshpërimisht nevojë, pas pothuajse 8 muajsh luftë.

Shtetet e Bashkuara u shprehën “thellësisht të shqetësuara” të martën mbi atë që duket të ketë qenë një sulm ajror izraelit që vrau 45 palestinezë që strehoheshin në një kamp refugjatësh në Rafah dhe plagosi 200 të tjerë. Shtetet e Bashkuara thanë se i kishin bërë thirrje Izraelit të kryente një hetim të plotë.

“Ato pamje janë trishtuese”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ai tha se Izraeli ka të drejtë të luftojë Hamasin, por njëkohësisht ka detyrimin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të minimizuar dëmtimin e civilëve gjatë operacioneve të tij. Ushtria izraelite tha se po shqyrton mundësinë që armët e fshehura në zonën e goditur nga sulmi izraelit mund të kenë shkaktuar një zjarr vdekjeprurës në kampin e refugjatëve të dielën.

Një zëdhënës ushtarak tha të martën se municionet e përdorura nga ushtria izraelite ishin shumë të vogla për të shkaktuar një zjarr masiv.

XS
SM
MD
LG