Lidhje

Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës mban plagët të hapura për të mbijetuarat


Të enjten, OKB do të votojë për miratimin e një rezolute përmes së cilës 11 korriku do të shpallet ditë për të përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjes. Teksti përfundimtar i rezolutës dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi. Kronika në vijim sjell një rikujtim të asaj që ndodhi para rreth 29 vjetësh. Të mbijetuarat e gjenocidit thonë se plagët e vuajtjeve vazhdojnë të mbeten të hapura nga mohimi i vazhdueshëm i krimit më të madh që ka ndodhur në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës mban plagët të hapura për të mbijetuarat
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:53 0:00


Kada Hotiç e pa për herë të fundit djalin, burrin dhe vëllain e saj më 11 korrik të vitit 1995. Atë ditë forcat serbe të Bosnjës thyen “zonën e sigurisë” që ishte krijuar nga Kombet e Bashkuara përreth qytetit të Srebrenicës. Futja e forcave serbe në qytet detyroi mijëra boshnjakë të iknin.

Predhat shpërthenin përreth, ndërsa zonja Hotiç dhe familja e saj vraponin drejt një baze të OKB-së, duke kaluar pranë trupave të copëtuar gjatë rrugës. Ajo u nda nga djali i saj 29-vjeçar, Samiri, kur paqeruajtësit e OKB-së iu thanë mijëra burrave dhe djemve të rinj të shkonin në një nga pyjet aty pranë.

Komandanti i forcave serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiq, para kamerave, me qetësi iu fliste boshnjakëve duke iu thënë se nëse nuk donin, nuk kishin pse të iknin, ashtu siç ju sugjeronin forcat e OKB-së.

“Ju lutemi, keni durim. Kushdo që dëshiron të qëndrojë, mund të qëndrojë. Kushdo që dëshiron të largohet nga ky territor, ne kemi siguruar autobusë dhe kamionë të mjaftueshëm për ju”, iu tha me qetësi komandanti i forcave serbe të Bosnjes banorëve të Srebrenicës.

Në ditët në vijim, boshnjakët do të bëheshin viktima të masakrës më të përgjakshme të luftës së Bosnjës, ku forcat serbe vranë rreth 8000 burra dhe djem.

Kujtimet e zonjës Hotiç u rishfaqën këtë javë ndërsa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara diskuton rreth një plani për të votuar një rezolutë e cila kërkon që 11 korriku të shpallet ditë ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Kemi luftuar nga viti 1996 që e vërteta të bëhet publike, që kriminelët të ndëshkohen, po kërkojmë për të zhdukurit, të gjejmë dhe t’i varrosim me dinjitet. Dua që bota ta dijë të vërtetën, ta gjykojë dhe ta kujtojë, që kjo e keqe të mos përsëritet kurrë më”, thotë zonja Hotiç.

Projekt-Rezoluta e OKB-së, e iniciuar nga Gjermania, Ruanda dhe Bosnja dhe e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, dënon mohimin e gjenocidit. Votimi do të mbahet të enjten.

“Qëllimi i kësaj rezolute është që të përballemi me të kaluarën. Nëse mund të arrijmë diçka me këtë rezolutë, e bëjmë për një të ardhme më të mirë. Ky është një hap drejt asaj”, thotë Almasa Salihoviç, zëdhënëse e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës.

Një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kanë vendosur se masakrat e Srebrenicës përbëjnë gjenocid dhe shumë ish-udhëheqës ushtarakë serbë të Bosnjës janë mbajtur përgjegjës.

Por votimi në OKB është përballur me rezistencë të ashpër në pjesë të Ballkanit, ku ndarjet me bazë etnike vazhdojnë të jenë të forta që nga shpërbërja e Jugosllavisë më 1991.

Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës e kanë mohuar vazhdimisht se ajo që ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid.

“Rezoluta do të sjellë të mira së pari për njerëzit që kanë kryer krimet, dhe pastaj për ne viktimat, sepse ne po luftojmë për këtë për shkak të mohimit që ka vazhduar në dhjetë vitet e fundit. Ne duhet ta zgjidhim problemin përgjithmonë, për hir të brezave të ardhshëm”, thotë Sehida Abdurahmanoviç, e mbijetuar e masakrës së Srebenicës.

Udhëheqësi nacionalist serb i Bosnjës Milorad Dodik ka kërcënuar se Republika Serbe, ku ndodhet Srebrenica, do të shkëputet nga Bosnja nëse miratohet rezoluta.

“Unë besoj në idealin e Republikës Serbe të pavarur pasi është e pamundur të ndërtosh bashkjetesë me njerëzit që duan të shuajnë liritë dhe të shfuqizojnë republikën tonë”, tha Milorad Dodik, President i Republikës Serbe të Bosnjes me 25 tetor të vitit 2022 ndërsa festonte fitoren në zgjedhje.

Srebrenica ishte deklaruar “zonë e sigurt “ nga OKB në vitin 1993. Aty jetonin rreth 40,000 myslimanë boshnjakë që kishin ikur nga fushata serbe e spastrimit etnik. Më pas forcat serbe të Bosnjës hynë brenda, duke mposhtur paqeruajtësit.

“Dua që bota të dijë të vërtetën, ta gjykojë e kujtojë atë, që kjo e keqe të mos ndodhë më kurrë”, thotë Kada Hotiç, anëtare e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”.

Përmasat e masakrës në Srebrenicës dolën në dritë gradualisht pasi mijëra burra, që fillimisht ishin konsideruar të humbur, u gjetën të vrarë.

Në tërësi, hetuesit zbuluan se rreth 8,000 burra dhe djem u vranë brutalisht gjatë mizorisë më të rëndë që Evropa ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG