Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar të martën për mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare të Kursimeve” të Serbisë në veri të Kosovës, duke e vlerësuar këtë veprim kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Në një komunikatë shtypi, blloku tha se veprimet e pabashkërenduara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e marrëveshjes për normalizim si dhe “rrezikojnë bisedimet e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para në dorë”.
“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës u japin përparësi veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët”, thuhet në njoftim, në të cilin theksohet se statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja si dhe në ndërlidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Banka Postare e Kursimeve është institucion financiar që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë. Policia tha se gjatë operacionit të djeshëm është konfiskuar një sasi parash në vlerë prej mbi dy milionë eurosh.
Banka Postare e Kursimeve tha në një reagim se fondet e personave që kanë llogari në këtë institucion janë të sigurta, ndërsa klientët e bankës mund t’i kryejnë të gjitha shërbimet në degët më të afërta në vendkalimet kufitare Kosovë Serbi.
Autoritetet serbe e cilësuan veprimin si “akt të dhunshëm të shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb”.
Por, ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati tha të martën se operacioni është kryer nën dyshimin e bazuar se degët e Bankës Postare të Kursimeve po vepronin pa licencë.
“Sa i përket shumave që janë sekuestruar gjatë bastisjes, konsideroj që ato i takojnë një procesi gjyqësor tanimë meqenëse prokurori ka dhënë urdhër për bastisje. Ato besoj fillimisht shërbejnë si prova e pastaj mund të derivohet se si të veprohet tutje nga një proces i mirëfilltë gjyqësor”, tha ai.
Banka Postare e Kursimeve nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për të komentuar akuzat për veprimtari të paligjshme
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për operacionin e djeshëm të policisë së Kosovës, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
“Sa i përket reagimit, nuk jam në dijeni për hollësitë, megjithatë çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit”, tha zoti Murati.
Operacioni i djeshëm i policisë nxiti reagimin edhe të diplomatëve tjerë në Prishtinë si dhe të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision tha të martën se është thelbësore për të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për ta zgjidhur këtë çështje në kuadër të dialogut si dhe të shmangin veprimet destabilizuese.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, tha në një komunikatë shtypi se ishte njoftuar të hënën pak përpara fillimit të operacionit në veri.
“KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”, thuhet në njoftim.
Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare AKTIV me seli në veri të Mitrovicës, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se pasojat e këtij veprimi më së shumti i vuajnë qytetarët serbë në veri.
“Qytetarët vërtetë janë duke pasur shumë vështirësi për t’i marrë të ardhurat e tyre mujore nga Republika e Serbisë, jo vetëm punojnjësit por edhe kategoritë sociale duke përfshirë edhe komunitete tjera pakicë si romët. Përfundimisht e vetmja zgjidhje praktike dhe normale do të ishte vazhdimi i negociatave në Bruksel dhe përpjekja për të gjetur një zgjidhje për problemin ekzistues, jo vetëm nëpërmjet Asociacionit por edhe duke trajtuar problemet që kjo qeveri ka shkaktuar duke ndërmarrë veprime të njëanshme pa ofruar një alternativë ndaj personave që varen prej të ardhurave mujore nga Serbia”, thotë ai.
Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje sot të dyja palëve që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga i dërguari evropian për bisedimet Miroslav Lajçak.