Njoftimet e shtypit thonë se një sulm ajror izraelit vrau më shumë 20 persona në Gazën qendrore, kryesisht gra dhe fëmijë. Burimeve palestineze njoftuan për sulme të shumta ajore dhe luftime të ashpra në Gazën veriore. Edhe në kampin e refugjatëve Jabliya banorët raportuan për sulme të shumta artilerie dhe goditje nga ajri. Ndërkohë, në Izrael duket se janë shtuar mosmarrëveshjet mes drejtuesëve politikë për të ardhmen e Gazës.
Në Rripin e Gazës vazhdojnë luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit. Një sulm ajror izraelit vrau më shumë se 20 persona në Gazën qendrore, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas njoftimeve të shtypit. Palestinezët raportuan më shumë sulme ajrore dhe luftime të ashpra në Gazën veriore, e cila ka qenë kryesisht e izoluar nga trupat izraelite për muaj të tërë dhe ku Programi Botëror i Ushqimit thotë se zia e bukës është duke u përkeqësuar. Edhe në kampin e refugjatëve Jabliya banorët raportuan për sulme të shumta artilerie dhe ajrore.
Ndërsa lufta po hyn në muajin e tetë, në Izrael duket se janë shtuar mosmarrëveshjet mes drejtuesëve politikë. Kryeministri Benjamin Netanyahu është përballur me kritika nga rivali i tij kryesor politik, Benny Gantz, që kërcënon të largohet nga qeveria nëse nuk formulohet një plan deri më 8 qershor që përfshin një administratë ndërkombëtare për Gazën e pasluftës.
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan po takohet në Izrael me drejtues të lartë të vendit për të diskutuar një plan ambicioz të Uashingtonit që Arabia Saudite të njohë Izraelin dhe të ndihmojë Autoritetin Palestinez për të qeverisur Gazën në këmbim të një rruge drejt shtetësisë.
Zoti Netanyahu i ka hedhur poshtë këto propozime duke thënë se Izraeli do të ruajë kontrollin ndaj Gazës dhe do të jetë partner me palestinezët lokalë që nuk kanë lidhje me Hamasin ose Autoritetin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi. Tërheqja e zotit Gantz nuk do të rrëzonte qeverinë e koalicionit të Netanyahut, por do ta linte atë më të varur nga aleatët e ekstremit të djathtë.
Kritikët e zotit Netanyahut, përfshirë mijëra protestues që dolën përsëri në rrugë të shtunën, e akuzojnë atë për zgjatjen e luftës dhe refuzimin e një marrëveshjeje armëpushimi që do të lironte pengjet, si dhe të jepte llogari për dështimet e mbrotjes gjatë sulmit të militantëve të Hamasit.
Por teksa po flitet për diskutime, ekspertët thonë se në javët e fundit, militantët e Hamasit janë rigrupuar në pjesë të Gazës veriore që u bombarduan rëndë në ditët e para të luftës. Trupat tokësore izraelite janë tërhequr nga ajo zonë.
Në një tjetër zhvillim, anijet që transportojnë ndihma humanitare për palestinezët u panë duke iu afruar një porti të përkohshëm të ndërtuar nga SHBA në Gazë.
Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas Izraelit, çka shkaktoi ndërhyrjen në shkallë të gjerë në territorin palestinez. Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin.
Lufta ka vrarë të paktën 35 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që drejtohet nga Hamasi. Rreth 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur brenda territorit.
Izraeli thotë se përpiqet që të shmangë dëmtimin e civilëve dhe fajëson Hamasin për numrin e madh të vdekjeve dhe shkatërrimin, duke e akuzuar atë se i përdor palestinezët si mburoja njerëzore.