Lidhje

Biden: Rendi përballë lirisë së fjalës në protestat e studentëve


Pas protestave pro-palestineze disa javore në universitetet amerikane, Presidenti Joe Biden paralajmëroi se rendi duhet të mbizotërojë, madje edhe pse theksoi se kundërshtimi është thelbësor për demokracinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, protestat janë bërë një dilemë politike në rritje për Presidentin Biden, ndërsa republikanët e akuzojnë atë se ka mbyllur sytë për shkelësit e ligjit dhe antisemitizmin. Por nga ana tjetër, votuesit e rinj dhe demokratët progresistë janë indinjuar nga ndërhyrja e policisë për të shpërndarë protestat në universitete.


Policia përdori forcën për të larguar protestuesit pro-palestinezë të enjten, duke çmontuar tendat që studentët kishin vendosur në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. Ishte ndërhyrja e fundit e policisë pas disa javë protestash të përshkallëzuara në universitetet amerikane.

Përfundimisht, Presidenti Biden foli për këtë çështje të enjten. Ai tha se amerikanët kanë të drejtë të protestojnë, por jo të shkaktojnë kaos.

“Protesta paqësore është ndër traditat më të mira se si amerikanët reagojnë ndaj çështjeve të rëndësishme. Nuk jemi një vend pa rregulla, por një shoqëri civile, ku rendi duhet të mbizotërojë”, tha Presidenti Biden.

Ai i dënoi përpjekjet e republikanëve për ta shfrytëzuar kaosin për fushatë politike.

“Në momente si ky, gjithmonë ka nga ata që nxitojnë për të fituar pikë politike. Por ky nuk është një moment për politikë, por një moment për qartësi”, tha Presidenti Biden.

Ligjvënësit republikanë e kanë akuzuar zotin Biden se ka mbyllur një sy para shkelësve të ligjit dhe antisemitizmit.

“Kur do t'i dënojë vetë presidenti, jo zëdhënësit e tij, këto ‘Gaza të Vogla’ të mbushura me urrejtje? Presidenti Biden duhet t’i dënojë simpatizantët e Hamasit nëpër universitete, dhe të flasë qartë për luftën e drejtë të izraelitëve për mbijetesë”, tha Senatori republikan Tom Cotton.

Protestat janë një dilemë politike në rritje për Presidentin Biden në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Ndërsa republikanët e akuzojnë atë për qëndrim të njëanshëm ndaj demonstruesve, nga ana tjetër votuesit e rinj, demokratët progresistë, amerikano-arabë dhe myslimanë, janë të indinjuar nga ndërhyrja e policisë dhe mbështetja e fortë e Presidentit Biden për Izraelin.

Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin Larry Sabato i cili drejton Qendrën për Politika në Universitetin e Virxhinias.

“Kjo çështje nuk do të zgjidhet vet së shpejti. Por është e mundur që me një armëpushim çështje të tjera të dalin në pah. Pyetja qëndron nëse do të ketë një armëpushim, apo ky nivel lufte në Gazë do të vazhdojë deri në zgjedhjet e nëntorit. Nëse po, kjo do t’i kushtojë shumë Presidentit Biden”.

Donald Trump, kandidati i pritshëm republikan për president, e ka kritikuar qasjen e zotit Biden dhe e mbështet ndërhyrjen e policisë, si ajo në Universitetin Columbia.

“Gjithçka mori fund brenda dy orësh pas ndërhyrjes së policisë së mrekullueshme të Nju Jorkut”, tha zoti Trump.

Që nga 18 prilli, më shumë se 1800 individë janë arrestuar në protestat në kolegje dhe universitete.

XS
SM
MD
LG