Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara filloi sot dëgjimin e argumenteve për një prej dy çështjeve që mund të ndikojnë në dy paditë penale ndaj ish presidentit Donald Trump, i cili është akuzar për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Çështja që po shqyrtohet sot në Gjykatën e Lartë pritet të ndikojë edhe tek akuzat e ngritura ndaj qindra personave që morrën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021.
Akuza është “pengim i një procedure zyrtare”. Ajo buron nga një ligj i miratuar dy dekada më parë, pas skandalit financiar që çoi në falimentimin e gjigandit të energjitikës, kompanisë Enron.
Akuza “për pengim të procedurave”, parashikon një dënim me 20 vjet burg. Sipas Departamentit të Drejtësisë, ajo është ngritur ndaj rreth 330 personave.
Gjykata e Lartë po shqyrton sot nëse kjo akuzë është e vlefshme kundër atyre që u përpoqën të pengonin procedurat e Kongresit për certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden ndaj sh presidentit Trrump.
Javën tjetër Gjykata e Lartë shqyrton ankesën e vetë zotit Trump, i cili pretendon të ketë imunitet absolut si ish president. Kjo ankesë është rrëzuar tashmë nga dy gjykata apeli. Aktpadia që prokurori i posaçëm Jack Smith ka ngritur ndaj ish Presidentit Trump për përpjekje për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 do të binte, nëse Gjykata e Lartë do të vendoste në favor të zotit Trump.
Rasti që po shqyrton sot Gjykata e Lartë, ka të bëjë me ankesën e Joseph Fischer-it, një ish officer policie nga Pensilvania. Aktpadia ndaj tij përfshin edhe akuzën për “pengim të procedurave zyrtare”. Avokatët e zotit Fischer thonë se akuza nuk përputhet me veprimet e tij më 6 janar të vitit 2021.
Rreth 170 të pandehur nga 6 janari janë dënuar tashmë nën këtë akuzë, përfshirë drejtuesit e dy grupeve të ekstremit të djashtë “The Proud Boys” dhe “Oath Keepers”.
Për një numër prej tyre, shpallja e dënimit është shtyrë në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë.
Shumica e gjykatave më të ulta, që e kanë trajtuar këtë rast, deri tani e kanë pranuar akuzën. Mes tyre edhe gjykatësi federal, Dabney Friedrich, i emëruar nga ish presidenti Trump, i cili në vendimin e tij shkruante se “aplikimi i ligjeve shpesh zgjerohet përtej rastit që është bërë shkas për miratimin e tyre”.
Por Gjykatësi tjetër federal, po i miratuar nga ish Presidenti Trump, Carl Nichols, e rrëzoi akuzën ndaj Fischer-it dhe dy të pandehurve të tjerë, duke thënë se prokurorët kanë shkuar tepër larg me këtë akuzë. Një gjykatë apeli, ndonëse e ndarë në vendimin e saj, e riktheu akuzën, para se Gjykata e Lartë të vendoste ta shqyrtonte atë.
Mbi 1350 persona janë akuzuar për pjesëmarrjen në sulmin ndaj Kapitolit. Rreth 1 mijë kanë pranuar fajësinë, ose janë dënuar për të.