Lidhje

Vritet një grua në Pejë, arrestohet bashkëshorti i saj


Policia e Kosovës tha ta martën se një grua është vrarë në qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj i cili tashmë është arrestuar.

“Ngjarja ka ndodhur në një banesë në qendër të qytetit të Pejës ku dyshohet se bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij me armë zjarri. Atij i është konfiskuar arma dhe është arrestuar ndërsa të gjitha njësitë relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë ekzaminimet e nevojshme”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dënoi vrasjen e sotme, duke theksuar se duhet dhënë fund femicidit në vend.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Ky është rasti i dytë i vrasjes së grave brenda pak ditësh.

Pasditen e së premtes, një grua 21 vjeçe u vra në Qendrën për punë sociale në komunën e Ferizajt, rreth 30 kilometra në Jug të Prishtinës. I dyshuar i vrasjes është bashkëshorti i viktimës.

Të hënën pasdite grupe qytetarësh parakaluan në qendër të Prishtinës me thirrjet për më shumë siguri për vajzat dhe gratë.

Dhuna në familje, që në të shumtën e rasteve është dhunë ndaj gruas, ka shënuar rritje viteve të fundit dhe mbetet një ndër shqetësimet kryesore të veprimtarëve humanitarë.

Sipas autoriteteve 3 gra janë vrarë ndërsa mbi dy mijë të tjera ishin viktimë e dhunës në familje përgjatë vitit 2023. Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra.

XS
SM
MD
LG