Ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha të hënën se përfshirja e grave në proceset e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë është thelbësore, posaçërisht në këtë periudhë të zhvillimeve gjeopolitike.
Komentet e saj ishin pjesë e një videomesazhi që u transmetua në hapjen e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po zhvillon edicionin e dytë këtë vit në Prishtinë me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga mbi 40 shtete të botës.
“Paqja nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, posaçërisht tani që tensionet në rajonin e Ballkanit janë përshkallëzuar sërish dhe agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë vazhdon, ndërsa forcat globale antidemokratike shkaktojnë përçarje dhe urrejtje. Prandaj forume si këto janë kaq të rëndësishme sepse gratë nuk janë thjeshtë viktima të dhunës e pabarazisë, gratë janë agjente të paqes dhe përparimit”, tha ajo.
Ish Sekretarja Clinton theksoi se demokracitë janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë janë të përfshira, trajtohen si të barabarta dhe posaçërisht atëherë kur ato udhëheqin.
“Por thjeshtë pranimi i konceptit të të drejtave të grave dhe përfshirja e këtyre të drejtave në ligje dhe Kushtetutë nuk është e njëjta gjë sikur arritja e barazisë së plotë. Të drejtat janë të rëndësishme, por nuk janë asgjë pa fuqinë për t’i kërkuar dhe mbrojtur ato”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Forumi për Gratë Paqen dhe Sigurinë është dëshmi e përkushtimit për ta rimenduar sigurinë dhe për t’i dhënë përparësi parandalimit, duke pasur në mendje të drejtat dhe mirëqenien e grave në çdo hap.
“Ky edicion i forumit është unik në shumë mënyra, por posaçërisht për shkak se mëton të sjellë një kombinim këndvështrimesh të sfidave me të cilat gratë janë përballur historikisht por edhe sfidave të reja që po riformësojnë strukturat e ardhshme të sigurisë. Prandaj përzgjedhja e dy temave kryesore në këtë edicion, në njërën anë dhunën seksuale në konflikt në anën tjetër sigurinë klimatike, nuk është e rastësishme. Në përpjekjet tona ne sigurisht përpiqemi të trajtomë të gjitha çështjet e të tashmes, por gjithashtu do të na duhen mësimet e së kaluarës për t’i përballur me sukses sfidat e së ardhmes”, tha presidentja Osmani.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, duke folur për situatën e grave në zona të konflikteve tha se drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale duhet të shndërrohet në përparësi globale.
“Kur shoh që përdhunimi përdoret si taktikë në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë, sot në Ukrainë dhe në Gazë, jam shumë larg të besuarit se kjo metodë e luftës do të zhduket. Megjithatë ne duhet të jemi këmbëngulës, nuk duhet ta humbim shpresën si dhe duhet të jemi të zëshëm kundër krimeve ndaj grave dhe burrave. Gratë janë të afta dhe duhet t’u besohet puna në ndërtimin e paqes, veprimtarinë humanitare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke nisur nga rrënjët - në zonat e krizave”, tha ajo.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është një zotim që Kosova mori në kuadër të Samitit për Demokraci në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021. Në edicionin e sivjetmë, Presidentja Osmani dhe Katrina Fotovat, nga Zyra për Çështje Globale të Grave në kuadër të Departamentit amerikan të Shtetit, nënshkruan edhe marrëveshjen për hapjen e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Pjesëmarrësit thanë se kjo qendër do t’i mundësojë Kosovës dhe rajonit të çojë përpara çështjet që ndërlidhen me gratë, paqen dhe sigurinë.