Ndeshjet e kësaj jave të Ligës së Kampionëve do të zhvillohen siç ishte planifikuar, pavarësisht një kërcënimi për sulm terrorist nga ‘Shteti Islamik’, tha të martën organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA.
Një media që ka lidhje me grupin terrorist ka bërë thirrje të shumta për sulme në stadiumet ku zhvillohen ndeshjet çerekfinale në Paris, Madrid dhe Londër, të martën dhe të mërkurën.
“UEFA është në dijeni të kërcënimeve terroriste të bëra ndaj ndeshjeve të kësaj jave të Ligës së Kampionëve dhe është duke bashkëpunuar me autoritetet në vendet përkatëse”, tha UEFA në një deklaratë.
Dy ndeshje janë planifikuar të zhvillohen në Madrid. Ekipi vendas ‘Real Madrid’ do të përballet me ekipin britanik ‘Manchester City’ të martën, ndërsa ‘Atletico Madrid’ luan kundër ekipit gjerman ‘Borussia Dortmund’, të mërkurën.
Ekipi tjetër britanik ‘Arsenal’ luan të martën kundër ekipit gjerman ‘Bayern Munchen’ në Londër dhe një ditë më pas ekipi francez ‘Paris Saint-Germain’ luan kundër ekipit të Barcelonës.
“Dua të siguroj publikun se ne kemi një plan të fortë sigurie për ndeshjen që mbahet sonte [në Londër] dhe ne vazhdojmë të punojmë nga afër me ekipin e sigurisë të Arsenalit për t’u siguruar që ndeshja të kalojë e qetë”, tha ndihmëskomisioneri i Policisë Metropolitane, Ade Adelekan.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin tha se policia ka përforcuar ndjeshëm sigurinë rreth stadiumit ‘Parc des Princes’ në Paris.
“Kemi parë, ndër të tjera, një deklaratë nga Shteti Islamik, i cili po synon të sulmojë veçanërisht stadiumet. Nuk është diçka e re”, tha zoti Darmanin. “Në mëngjesin e sotëm, ne i kërkuam drejtorit të përgjithshëm të sigurisë së brendshme që të ndajë informacionin që kemi me shërbimet e [sigurisë] të vendeve të tjera ku do të zhvillohen ndeshjet e çerekfinales”.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” në periferi të Moskës më 22 mars, ku u vranë 144 persona.
Javën e ardhshme janë planifikuar të zhvillohen ndeshjet e kthimit në Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi i ekipit ‘Paris Saint-Germain’, Danilo tha se ai dhe shokët e tij “duhet të përqendrohen tek futbolli”, por trajneri Luis Enrique tha se kërcënimi ishte shqetësues.
“Kush nuk do të shqetësohej nga kjo? Sigurisht që ne jemi të shqetësuar”, tha trajneri i ekipit francez. “Ne shpresojmë se është vetëm një kërcënim dhe se asgjë nuk do të ndodhë”.