Lidhje

Rusia godet Kharkivin me dronë duke vrarë katër veta


Zyrtarët ukrainas thanë të enjten një sulm me dronë rus gjatë natës, la pas vetes katër të vrarë dhe 10 të tjerë të plagosur në qytetin lindor, Kharkiv.

Kryebashkiaku, Igor Terekhov tha se dronët goditën disa ndërtesa banimi.

Oleg Sinegubov, guvernatori rajonal në Kharkiv, tha se sulmet ruse goditën gjithashtu qytetet Lozova dhe Chuhuiv.

Ushtarët ukrainas rrëzuan 11 nga 20 dronët Shahed që Rusia hodhi mbi Ukrainën gjatë natës, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Kharkivi ka qenë një objektiv i shpeshtë i trupave ruse në javët e fundit. Qyteti lindor është afër kufirit me Rusinë dhe është goditur me raketa balistike dhe me dronë.

Një sulm masiv që synonte të dëmtonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës, zhyti në errësirë pjesën më të madhe të Kharkiv-it.

Çdo manifestim i terrorit rus dëshmon edhe një herë se shteti terrorist meriton vetëm një gjë – një gjykatë (per krime lufte)”, shkroi Avokati i Popullit në Ukrainë, Dmytro Lubinets, në një postim ne rrjetin Telegram, në përgjigje të sulmit.

Ndërkohë, dy persona u vranë në një sulm ukrainas me dronë në një pjesë të kontrolluar nga Rusia të rajonit Kherson të Ukrainës, tha të enjten zyrtari i vendosur nga Rusia, Andrey Alekseenko.

Ministrat e jashtëm të NATO-s të cilët po kremtojnë të enjten 75-vjetorin e aleancës së tyre, ranë dakord të fillojnë planifikimin për një rol më të madh në bashkërendimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka propozuar një fond prej 100 miliardë eurosh për të mbështetur ushtrinë e Ukrainës gjatë pesë viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG